top of page

Vdekja prej spagetimit

Teleskopët e ESO-s rregjistrojnë çastet e fundit të yllit të gllabëruar nga një vrimë e zezë

15 Janar 2021

eso2018a.jpg

Duke përdorur teleskopë nga Observatori Jugor Evropian (ESO) dhe organizata të tjera në botë, astronomët kanë pikasur një shpërthim të rrallë drite nga një yll që po copëtohet prej tërheqjes nga një vrimë e zezë, shumë e madhe. Fenomeni ndodh nga efekti deformues gravitacional, i ngjashëm me dukuritë e baticës në Tokë. Por në këtë rast ai është shkatërrues! Ky është shpërthimi më i afërt i këtij lloji, i rregjistruar deri më tani. Ka ndodhur në afro 215 milion vite-dritë larg nga Toka dhe është studiuar në detaje shumë të imëta.

"Ideja e një vrime të zezë "që gllabëron" një yll aty pranë tingëllon si fantashkencë. Por pikërisht kjo ndodh gjatë një batice shkatërruese”-thotë Matt Nicholl, një pedagog dhe studiues i Shoqatës Mbretërore Astronomike në Universitetin e Birmingham, MB dhe autori kryesor i zbulimit të ri. Por këto ngjarje, ku ylli përjeton atë që njihet si spagetim (forma sferike e yllit stërzgjatet sipas një drejtimit, duke marrë formën e fijeve të spagetit) ndërsa thithet nga një vrimë e zezë, janë të rralla dhe jo gjithmonë të lehta për t’u studiuar. Ekipi i studiuesve drejtuan Teleskopin Shumë të Madh të ESO-së (VLT) dhe Teleskopin e Teknologjisë së Re të ESO-së (NTT) në një flash të ri drite që u shfaq vitin e kaluar afër një vrime të zezë supermasive, për të hetuar në detaje se çfarë ndodh kur një yll gllabërohet nga një përbindësh i tillë.

Astronomët e dinë se çfarë duhet të ndodhë në teori. "Kur një ‘yll i pafat’ endet shumë afër një vrime të zezë supermasive në qendër të një galaktike, tërheqja ekstreme e gravitetit të vrimës së zezë e copëton yllin në fije të holla", shpjegon autori i studimit Thomas Wevers, një bashkëpunëtor i ESO në Santiago, Kili, i cili ishte në Institutin e Astronomisë, Universiteti i Kembrixhit, MB, kur kreu studimin. Kur disa prej fijeve të materialit yjor bien në vrimën e zezë gjatë këtij procesi spagetimi, çlirohet energji në formën e një shpërthimi drite, të cilin astronomët mund ta zbulojnë.

Ndonëse i fuqishëm dhe i ndritshëm, deri tani astronomët kanë pasur probleme për ta hetuar këtë shpërthim drite, sepse shpesh mbulohet nga perde pluhurash dhe mbeturinash të tjera, të cilat janë kuptuar vetëm së fundmi.

"Ne zbuluam se kur një vrimë e zezë gllabëron një yll, një pjesë e lëndës del jashtë dhe pengon pamjen tonë", shpjegon Samantha Oates, gjithashtu në Universitetin e Birmingham. Energjia e çliruar gjatë procesit merr me vete jashtë edhe një pjesë të materialit të yllit.

Zbulimi u bë i mundur sepse ngjarja u kap vetëm pak kohë pasi ylli u copëtua. "Për shkak se e kapëm herët, ne e pamë perden e pluhurit dhe mbeturinave kur shpërthimi nga vrima e zezë po dilte me shpejtësi deri në 10 000 km/s," thotë Kate Alexander, bashkëpunëtore e NASA-s në Einstein në Northwestern Universiteti në ShBA. "Ky vështrim unik prapa perdes” dha mundësinë e parë për të përcaktuar origjinën e materialit errësues dhe për të ndjekur në kohë reale se si ai mbulon vrimën e zezë.

Vëzhgimet u kryen në një galaktikë spirale në yjësinë e Eridanus, për një periudhë 6-mujore, gjatë së cilës shpërthimi e rriti shkëlqimin e tij dhe më pas u shua.

Vëzhgimet në dritën ultravjollcë, optike, X dhe radio treguan se ylli kishte afërsisht të njëjtën masë me Diellin tonë dhe gjysma e saj u përpi nga vrima e zezë, një milionë herë më e madhe se Dielli ynë.

Kërkimi na ndihmon të kuptojmë më mirë vrimat e zeza supermasive dhe mënyrën se si sillet lënda në mjediset e gravitetit ekstrem përreth tyre.

Teleskopi Ekstremisht i Madh i ESO (ELT), i planifikuar të fillojë të funksionojë këtë dekadë, do t'u mundësojë studiuesve të zbulojnë shumë ngjarje të tjera të këtij lloji, të cilat ndihmojnë për të kuptuar e zgjidhur misteret e fizikës së vrimave të zeza.

Përktheu: Kristina Hysi, Përshtati dhe redaktoi: Mimoza Hafizi. Përshtati për faqen: Edesa Behaj.

Marrë e përshtatur nga ESO (https://www.eso.org/public/news/eso2018/)

bottom of page