top of page

15 Janar 2021

10 NGJARJE QIELLORE SPEKTAKOLARE

QË NUK DUHET T’I HUMBISNI NË 2021

Edhe pse një vit i mbizotëruar nga ndjenja dhe ngjarje negative,  distancimi social e frika prej virusit, 2020 na dhuroi momente të paharrueshme, te mbushura me ngjarje mbresëlënëse qiellore. Vlen të përmendet këtu kometa e shndritshme NEOWISE, pamjet më të mira të Marsit të kësaj dekade, një hënë blu për Halloween dhe qershia mbi tortë, bashkërenditja Jupiter-Saturn.

 

Kalendari astronomik i 2021 nuk do të jetë më pak mbresëlënës dhe ne kemi zgjedhur 10 ngjarje që nuk duhen humbur kurrsesi!

11 Shkurt: Bashkërenditja Afërditë-Jupiter

temp-East-Jupiter-Saturn-Venus-Feb-11-20

Më në fund një shpërblim për personat që u duhet të ngrihen çdo ditë herët në mëngjes; një takim tepër i afërt mes dy planeteve më të ndritshëm në qiell, Afërditës dhe Jupiterit. Të dy planetet do të mund të shihen me sy të lirë e do të duken aq afër me njëri-tjetrin, sa do të jenë bashkë edhe brenda fushës së një teleskopi të vogël! E si të mos mjaftonte, Saturni do të duket në të djathtën e çiftit.

Kini parasysh se duhet të gjendeni në një vend të hapur ku të mund të shikoni qartësisht në juglindje të horizontit e që ta vini re duhet të jeni të përpiktë. Një këshillë është që t’u jepni kohë planeteve të ngrihen mjaftueshëm në qiellin e mëngjesit e t’i shihni fiks përpara dritës së agimit, 20-30 minuta përpara lindjes së Diellit. Personat që jetojnë në Hemisferën Jugore do të jenë të privilegjuar, pasi planetet do të jenë të pozicionuara më larg Diellit, e për rrjedhojë më lart në qiell.

9-10 Mars: Rreshtimi i katërfishtë

quadrupple.png

Mërkuri, Jupiteri dhe Saturni do të shfaqen në një radhitje thuajse perfekte, ndërkohë që gjysmëhëna e gjendur pranë tyre do të jetë elementi i katërt i kësaj kornize mbresëlënëse. Secili planet do të duket si një pikë e shndritshme, duke nisur nga Mërkuri si më pak i dukshmi e deri te Jupiteri si më vezulluesi.

 

Të gjithë të apasionuarit pas yjeve dhe ngjarjeve astronomike do të jenë në gjendje të shohin katër nga hënat e Jupiterit me anë të dylbive, ndërkohë që me anë të një teleskopi të vogël mund të shihen dhe unazat e Saturnit, kurse Mërkuri do të duket si nje mini-version i çerekut të Hënës sonë, si rezultat i pozicionit të Tokës.

26 Maj: Eklipsi i plotë hënor “Hëna e përgjakur”

Blood_Moon.jpg

Përgjatë pjesës perëndimore të Amerikës së Veriut dhe Amerikës së Jugut, Australisë dhe pjesës juglindore të Azisë do të mund të vërehet “skuqja e Hënës” teksa ndodh një eklips i plotë hënor. Kjo ngjarje kaq dramatike astronomike ndodh kur Dielli, Toka dhe Hëna janë te radhitur në mënyrë të tillë që hija e planetit tonë mbështjell plotësisht fytyrën e Hënës.

 

Gjatë eklipsit të plotë, rrezet diellore të pjesës së kuqe të spektrit, duke kaluar përmes shtresës së atmosferës së Tokës përkulen më shumë se pjesa tjetër e spektrit dhe bien mbi sipërfaqen e Hënës. Si rezultat, ngjyra e saj nga gri e errët (gjatë fazës së eklipsit të pjesshëm) bëhet portokalli në të kuqe (gjatë fazës së eklipsit të plotë). Ngjyra e përpiktë mund të variojë, nisur nga sasia e pluhurit në atmosferën e Tokës.

 

Ky eklips i plotë përkon me ndodhjen e Hënës në pikën më të afërt me Tokën (shpesh herë e quajtur super Hënë), ndaj dhe efekti do të jetë një disk hënor më i madh dhe më vezullues. Eklipsi i pjesshëm nis në 10:44 a.m. dhe eklipsi i plotë në 12:11 dhe do të mbarojë në 12:25.

10 Qershor: Eklipsi diellor “Unaza e zjarrtë”

Diamond_Ring_during_Total_Solar_Eclipse_

Çdokush përgjatë një shtegu të ngushtë mes Kanadasë, një pjese të Groenlandës dhe Rusisë do të kenë mundësinë të shohin një “unazë të zjarrte” sapo dielli të lindë. E njohur si një eklips diellor unazor, kjo ngjarje mahnitëse ndodh kur Hëna, Dielli dhe Toka janë të radhitura, por disku hënor është i vogël për të mbuluar të gjithë Diellin, duke lënë një unazë drite rreth siluetës së errët hënore. Eklipsi nis në 9:49 UT mbi Kanadanë veriore dhe mbaron në Rusi në 11:33 UT.

 

Ndoshta jo të gjithë do të mund të shohin unazën e zjarrtë, por miliona njerëz do të jenë dëshmitarë të eklipsit të pjesshëm, sepse një pjesë e konsiderueshme e Azisë, Europës dhe Amerikës së Veriut do ta shohin Diellin të zënë pjesërisht nga Hëna. Mos harroni që nuk duhet të shikoni Diellin drejtpërsëdrejti pa filtra mbrojtës !

12 Korrik: Bashkërenditja Afërditë-Mars

image.jpg

Pas perëndimit, këto dy planete do të duken sikur janë takuar me njëri-tjetrin në qiell. Çiftit do t’i bashkohet edhe gjysmehëna, duke e bërë pamjen perfekte për një ose disa foto nga ana juaj.

 

E ngjashme me bashkërenditjen Jupiter-Saturn në dhjetor 2020, Marsi dhe Afërdita do të jenë kaq afër, sa do të jenë bashkë edhe brenda fushës së një teleskopi të vogël. Afërdita do të vezullojë shumë e do ta bëjë të lehtë gjetjen në qiell nga ana e vrojtuesve. Me shikimin e parë nuk do ta shquani Marsin, por pasi sytë tuaj të jenë përshtatur, nuk do të ketë problem për t’i vënë re të dy planetet afër njeri-tjetrit.

12-13 Gusht: Shi meteorësh Perseide

meteor-colorful-jul26-2020-James-Younger

Çdo mes-gusht, Toka udhëton mes një reje plot me mbetje të ardhura nga kometa Swift-Tuttle, duke shkaktuar një shi “yjesh që bien” nga qielli, pra meteorë të vegjël që digjen në atmosferën e sipërme. Ky është shiu i meteorëve Perseide dhe mund të prodhojë deri në 60 meteorë në një orë.

 

Ky vit duket tepër premtues për Perseidet, pasi momenti kulminant do të përkojë me një qiell të zi, pa hënë. Një gjysmëhënë e hollë do të ngrihet në fillimmbrëmje, duke krijuar kushte perfekte për më vonë. Hemisfera veriore është më e privilegjuar pasi meteorët gjithmonë duket se burojnë nga yjësia me të njëjtin emër, Perseus, e cila ndodhet pranë horizontit për vrojtuesit e gjerësive të mëdha gjeografike të hemisferës jugore.

Për të patur një pamje sa më të mirë, duhet të gjendeni diku ku ka sa më pak drita dhe ndotje, qoftë kjo dhe në një park në periferi të qytetit tuaj.

18 Gusht: Bashkërenditja Mars-Mërkur

Burimi: EarthSky

Një takim i afërt do të ndodhë mes planetit më të brendshëm të sistemit diellor, Mërkurit, dhe planetit të katërt në radhë larg Diellit, Marsit. Ky takim do të jetë paksa i vështirë për t’u vrojtuar, për shkak të afërsisë me perëndimin e Diellit, ndaj do t’ju duhet një pamje e qartë e pjesës perëndimore të horizontit. Mërkuri do te shndërrijë më shumë se Marsi, sepse do të ndriçohet më fort nga Dielli. Me anë të një teleskopi, dy planetet do të duken tepër të ngjeshura me njëri-tjetrin, ndaj do të nevojitet një zmadhim më i lartë për të vënë re detajet e kësaj ngjarjeje.

8 Tetor: Shi meteorësh Dragonide

draconids-10-7-2013-Sean-Parker-Photogra

Drakonidët do të xixëllojnë në pjesën veriperëndimore të qiellit pas muzgut, me afërsisht 10-15 meteorë në 1 orë. Ky shi meteorësh vjen nga një rrymë grimcash me përmasat e kokrrizave të rërës të shpërndara përgjatë orbitës së kometës 21P/Giacobini-Zinner. Konkurrenca e vetme që u paraqitet këtyre meteorëve do të jetë ajo e një hëne të vogël të argjendtë, çka thjesht i shton bukurinë qiellit relativisht të errët.

 

Si shumica e shirave të meteorëve, edhe Drakonidët e kanë marrë emrin e tyre nga yjësia nga e cila duket se burojnë, në këtë rast Draco, dragoi. Drakonidët shihen më së miri gjatë muzgut e deri në mesnatë, kur meteorët do të shfaqen më lart në qiell. Në kulmin e këtij shiu meteorësh, afërsisht gjatë mesnatës vendase, Draco do të jetë thuajse në pikën më të lartë përgjatë hemisferës veriore. Meteorët e dragoit janë të lehtë për tu parë, pasi janë shumë të ngadaltë.

19 Nëntor: Eklips i pjesshëm hënor

Eklipsi i fundit hënor i vitit do të përshëndesë vëzhguesit e Amerikës së Jugut e Veriut, Australisë dhe pjesërisht Europës dhe Azis. Edhe pse është teknikisht eklips i pjesshëm, deri në 95% e hënës së plotë do të mbetet brenda hijes së Tokës. Gjatë fazës maksimale, do të duket si një eklips i plotë për një kohë të shkurtër që do të thotë se disku hënor mund të ketë një hije portokalli ose të kuqe. Eklipsi do të fillojë ne 8:18 a.m dhe hija e Tokës do të mbështjellë shumicën e sipërfaqes së dukshme te Hënës rreth orës 10:02 a.m.

4 Dhjetor: Eklips i plotë diellor

Udhëtarët e patrembur që janë duke kërkuar për aventurën më madhështore lidhur me eklipset, do të kenë shansin e tyre në fund të vitit 2021, kur një eklips i plotë diellor do të pushtojë qiellin e Antarktidës. Ndërkohë, një eklips i pjesshëm diellor do të jetë i dukshëm në disa pjesë të Kilit, Argjentinës, Afrikës Jugore, Namibisë dhe Australisë. Gjithë vëzhguesit duke përdorur syzet me filtra solare në këto zona do mund të shohin një Diellin “të ngrënë” nga Hëna, teksa ajo pjesërisht errëson diskun diellor.

 

Disa anije lundruese dhe linja ajrore do të drejtohen drejt totalitetit, ku i gjithë disku i Diellit do të jetë mbuluar nga Hëna, e cila në mënyrë dramatike do të errësojë mjedisin rrethues për disa minuta të vyera. Ne pjesën më jugore të botës ekziston mundësia e vrojtimit të Diellit të eklipsuar në orët e para të mëngjesit, me ajsberg dhe tundrat e akullta si elemente shtesë, një pamje e jashtëzakonshme për të mbyllur vitin.

Përktheu dhe përshtati: Edesa Behaj, Redaktoi: Mimoza Hafizi

Marrë dhe përshtatur nga: https://www.nationalgeographic.com/science/2020/12/ten-spectacular-stargazing-events-to-watch-in-2021/

bottom of page