top of page

Pjesa e brendshme e satelitit Europa mund të jetë aq e nxehtë, sa të krijojë vullkane në tabanin oqeanik​​

10 qershor, 2021

Hëna e Jupiterit, Europa, mbulohet nga një kore e akullt, e cila i rri sipër një oqeani global, shumë të gjerë. Shtresa shkëmbore poshtë tij mund të jetë aq e nxehtë, sa të lejojë të krijimin e vullkaneve nëndetare.

europa.jpg

Kërkimet e fundit dhe modelimi me kompjuter tregojnë se në tabanin oqeanik të hënës Europa të Jupiterit mund të ketë patur deri vonë aktivitet vullkanik, i cili mbase vazhdon. Misioni i ardhshëm i NASA-s me emrin Europa Clipper, që synon të hidhet në vitin 2024, do t’i afrohet kësaj hëne të akullt për të mbledhur të dhëna që mund të hedhin dritë mbi këto gjetje.

Shkencëtarët janë të bindur se Europa ka një oqean gjigand mes kores së saj të akullt dhe pjesës së brendshme shkëmbore. Studimet e reja tregojnë se si kjo hënë mundet të ketë aq nxehtësi të brendshme, saqë t’i shkrijë pjesërisht shkëmbinjtë e brendshëm dhe të krijojë vullkane në tabanin oqeanik. Modeli i fundit 3D i proceseve të prodhimit dhe transferimit të nxehtësisë së brendshme është më i detajuari.

Burimi i kësaj nxehtësie është tërheqja e madhe gravitacionale që Jupiteri ushtron mbi satelitin e vet. Gjatë vërtitjes së Europës rrotull planetit gjigant, pjesët e saj të brendshme deformohen dhe energjia e deformimit kthehet në nxehtësi.

Aktiviteti vullkanik i Europës ka qenë për një kohë të gjatë temë diskutimesh. Hëna tjetër e Jupiterit, Io, e tregon haptas aktivitetin e saj vullkanik, ku qindra vullkane shpërthejnë shatërvane llave dhe e hedhin gazin dhe pluhurin vullkanik deri 400 km lart. Edhe në rastin e Ios, burimi i kësaj energjie është tërheqja gravitacionale e Jupiterit. Por, Europa është mjaft më larg nga Jupiteri, prandaj shkencëtarët nuk kanë qenë të sigurtë nëse do të kishte aktivitet të ngjashëm nën sipërfaqe.  

Autorët e studimit parashikojnë që aktiviteti vullkanik ka më tepër gjasa të ndodhë në polet e Europës. Ata gjithashtu shqyrtuan edhe se si ky aktivitet mund të jetë zhvilluar në epoka të ndryshme. Burimet energjetike që jetojnë gjatë i japin më tepër mundësi zhvillimi formave të jetës.

Vullkanet nënujore, nëse me të vërtet ekzistojnë, mund krijojnë kushte termike të ngjashme me ato në thellësitë e oqeaneve tokësore, që i japin shanse jetës të zhvillohet në mungesë të dritës së Diellit.

 “Gjetjet tona i japin mbështjetje shtesë hipotezës se nënsipërfaqja oqeanike e Europës  mund të jetë mjedis i përshtatshëm për zhvillimin e jetës,” thotë autorja e studimit. “Europa është një nga trupat e rrallë planetarë që mund të ketë patur aktivitet vullkanik përgjatë miliarda vitesh, dhe me gjasa i vetmi pas Tokës që ka rezervuar të madh uji dhe burim afatgjatë energjie”

Vrojtimet e drejtpërdrejta

Shkencëtarët e NASA-s kanë mundësi që t’i vendosin këto gjetje si objektiva testimi, kur Europa Clipper të arrijë pranë satelitit, në vitin 2030. Anija do t’i sillet Jupiterit dhe do të kryejë një dyzinë fluturimesh pranë Europës, për të parë formën e saj dhe për të shqyrtuar përbërjen. Ndërmjet tjerash, anija do të vrojtojë në detaje sipërfaqen e saj dhe atmosferën e hollë që e mbështjell.

​

​

Marrë nga NASA https://www.nasa.gov/feature/jpl/europa-s-interior-may-be-hot-enough-to-fuel-seafloor-volcanoes

 

Përktheu dhe përshtati Mimoza Hafizi; përshtati me faqen Edesa Behaj

Gjetjet shkencore sugjerojnë se në qendër të Europa-s duhet të ketë një bërthamë hekuri, të rrethuar nga një mantel shkëmbor në kontakt të drejtpërdrejtë me oqeanin që ndodhet nën koren e akullt. Kërkimet e reja tregojnë mënyrën se si energjia e brendshme ushqen vullkanet në tabanin oqeanik.

Burimi: NASA/JPL-Caltech/Michael Carroll

bottom of page