top of page

Kërkuesit e Australian National University po gjejnë rrugën tonë drejt një sistemi tjetër planetar

27 Qershor, 2021

4e258a587dba70e3939c7a53c968a1b9.webp

Në saje të një zbulimi të fundit prej shkencëtarëve të Australian National University, sistemi yjor Alpha Centauri mund të studiohet nga afër shumë më shpejt sesa mendohet.

Çfarë ka përtej Sistemit tonë Diellor? Kjo pyetje mrekullon jo vetëm shkencëtarët, por edhe shkrimtarët dhe regjisorët, sepse thellësitë e tij janë shumë të errëta. Madje edhe dy sondat që kanë kapërcyer kufirin e tij, Voyager 1 dhe 2 dhe kanë hyrë në zonën ndëryjore, e patën të mundur ta realizojnë këtë mision vetëm pas disa dekadash udhëtimi brenda Sistemit tonë Diellor.

Tani, kërkuesit e Canberras thonë se kanë gjetur çelësin që do të na bëjë të mundur të shkojmë më tutje, edhe në një sistem tjetër planetar, me shpejtësi shumë më të madhe.

Anija është kaq e vogël e delikate, saqë shkencëtarët po planifikojnë të dërgojnë shumë të tilla, me shpresën që disa prej tyre të mbërrijnë në Alpha Centauri, pa u shkatërruar nga copëra pluhurash hapësinore që mund t’ia pengojë rrugën.

Projekti është shumë tërheqës, pasi do të na e bënte të mundur të marrim informacione brenda disa vitesh. Ky udhëtim parashikohet të zgjatë vetëm 20 vjet, hap i madh krahasuar me 44 vitet që iu deshën sondës Voyager 2 për t’u endur rreth Uranit e Neptunit, para se të dilte nga Sistemi Diellor.

Autori udhëheqës i studimit, Cathura Bandutunga, astrofizikan ne Australian National University, thotë se kur zbuluan zgjidhjen qe njëfarë “çasti Eureka”. Ata kishin llogaritur se sa lazera nevojiteshin dhe në çfarë formacioni duheshin vendosur për ta shtyrë anijen e tyre aq larg dhe aq shpejt sa duhet për të arritur destinacionin.  

"Për këtë përpjekje të quajtur Breakthrough Starshot, e cila mund të mbërrijë në  Alpha Centauri për aq kohë sa zgjat jeta e një njeriu, anija duhet të udhëtojë 2000 herë më shpejt se anijet që kanë kapërcyer tashmë Sistemin Diellor."

Një udhëtim i shtyrë nga lazerat

"Sfida është të gjejmë se si do ta përdorim dritën për të shtyrë satelitin përgjatë gjithë rrugës së tij," thotë drejtuesi i studimit.

Nëse teoria e tyre është korrekte, lazerat do të përdoren në një numër të madh dhe në një kombinim të përshtatshëm, për ta shtyrë satelitin aty ku duhet. Shkencëtarët vlerësojnë se duhen rreth 100 milionë lazera individualë për të gjeneruar fuqinë e kërkuar prej rreth 100GË.

Matjet dhe kontrollet e deritanishme në laboratore duken konfuze për një sy të pasprovuar, por shkenca nuk ka qenë kurrë më pranë këtij projekti mahnitës.

 

Marrë nga: https://www.abc.net.au/neës/2021-06-08/canberra-anu-scientists-laser-sail-interstellar-space-discovery/100198228?utm_source=Nature+Briefing&utm_campaign=994fc923b1-briefing-dy-20210609&utm_medium=email&utm_term=0_c9dfd39373-994fc923b1-45761594

 

Përktheu dhe përshtati: Mimoza Hafizi; përshtati me faqen: Edesa Behaj

bottom of page