STDR56, objekt qiellor i zbuluar nga astronomët amatorë
2 Shkurt, 2021
Shpesh ndodh të shohim diçka dhe të mos e dimë se çfarë është. Kjo po ndodh edhe me StDr 56. Është objekt qiellor vërtet i bukur dhe padyshim i çuditshëm.
Mendohet të jetë një re gazi dhe ndoshta re gazi planetar. Asgjë e tillë nuk është parë deri më tani, prandaj disa aspekte të tij nuk mund të shpjegohen.
StDr 56 u zbulua nga dy astronomët amatorë Marcel Drechsler dhe Xavier Strottner, të cilët kanë ndjekur me kujdes kërkimet e bëra për retë e gazta planetare —erëra gazi që vijnë nga yjet (si Dielli), që po vdesin. Kur ylli kthehet në gjigant të kuq, fryhet. Me kalimin e kohës, shtresat e tij të jashtme largohen dhe mbetet vetëm bërthama e yllit: një xhuxh i bardhë, i dendur e i nxehtë. Drita ultravjollcë që vjen nga xhuxhi i bardhë bën që reja e gaztë të ndriçojë.
Me qindra objekte të tilla mund të gjenden nëpër katalogje. Në shumicën e rasteve ato janë disa vite-dritë larg nesh. Kanë shumëllojshmëri formash, si Abell 33. i cili ngjan me një flluske sapuni apo M 2-9. që duket si një çift kallamarësh duke u puthur.
Po StDr 56? Strottner dhe Dreschler kanë gjetur mjaft objekte të tilla, të panjohura më parë dhe i kanë regjistruar ato në katalogun e tyre, të quajtur StDr. Shumë prej tyre janë të çuditshëm, por jo aq sa StDr 56. Astronomët e quajtën këtë re të gaztë, “Kupa e Zjarrit”.
Në fotografi mund të dallojmë gazin e kuq, që është hidrogjen dhe gazin blu që është oksigjen. Të dy ndriçojnë shumë kur goditen nga drita ultravjollcë, prandaj këto ngjyra shihen rëndom në këto tip objektesh.
Përktheu dhe përshtati: Xhorxhia Behaj, Redaktoi: Mimoza Hafizi, Përshtati për faqen: Edesa Behaj