top of page

Nëpër Rrugën e Qumështit mund të fshihen yje të formuara nga antilënda

14 Maj, 2021

042321_MT_antistars_feat.jpg

Nëse po, ky zbulim do të nënkuptonte se një pjesë e antilëndës ka mbijetuar deri në ditët e sotme.

Janë katërmbëdhjetë njolla të ndritshme drite në një hartë të qiellit në rreze-gama që mund t’i përkasin antiyjeve, yjeve të përbëra nga antilënda-kështu sugjeron një studim i sapodalë.

Këta kandidatë për antiyje duket se çlirojnë pikërisht atë lloj rrezesh gama që prodhohet kur antilënda-homologia e lëndës, por me ngarkesë të kundërt-ndeshet me lëndën e zakonshme dhe të dyja asgjësohen. Kjo mund të ndodhë në sipërfaqet e antiyjeve, kur graviteti i tyre tërheq lëndë të zakonshme normale nga hapësira ndëryjore, raportojnë studiuesit në botimin online të Physical Review D, me 20 Prill 2021.

"Nëse ndodh që dikush mund të provojë ekzistencën e antiyjeve ... kjo do të ishte goditje e madhe për modelin standard kozmologjik," thotë Pierre Salati, një astrofizikant teorik në Laboratorin e Fizikës Teorike Annecy-le-Vieux në Francë, i papërfshirë në këtë punë. Kjo "realisht do të nënkuptonte një ndryshim të rëndësishëm në dijen tonë rreth asaj që ka ndodhur në universin e hershëm".

Në përgjithësi mendohet se edhe pse universi lindi me sasi të barabarta të lëndës dhe antilëndës, universi i sotëm nuk përmban thuajse fare antilëndë. Fizikanët ndajnë mendimin se gjatë evolucionit të universit, disa procese i dhanë favor grimcave të lëndës që të tejkalojnë shumë në numër grimcat e alter egos së tyre-antilëndës. Por, kohët e fundit, një instrument në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës hodhi dyshime mbi këtë supozim, kur zbuloi gjurmë të disa bërthamave antihelium. Nëse këto vëzhgime konfirmohen, kjo antilëndë “endacake” mund të jetë hedhur nga antiyjet.

I intriguar nga mundësia që një pjesë e antilëndës së universit të ketë mbijetuar në formën e yjeve, një ekip studiuesish kontrolluan 10 vjet vëzhgime nga Teleskopi Hapësinor Fermi me rreze Gama. Mes gati 5800 burimesh të rrezeve gama në katalog, 14 njolla drite i korrespondonin rrezeve gama me energji tipike të prodhuar nga asgjësimi lëndë-antilëndë, të pangjashme me ndonjë burim tjetër të njohur të rrezeve gama, si pulsarët apo vrimat e zeza.

Bazuar në numrin e kandidatëve të vëzhguar dhe ndjeshmërinë e teleskopit Fermi, ekipi llogariti se sa antiyje mund të ketë afër nesh. Nëse antiyjet ekzistojnë brenda planit të Rrugës së Qumështit, ku mund të thithin shumë gaz dhe pluhura prej lëndës së zakonshme, ata do të lëshonin shumë rrezatim gama dhe të dalloheshin lehtë. Kështu, numri i vogël i kandidatëve të zbuluar sugjeron se do të kishim vetëm një antiyll për çdo 400,000 yje normale.

Pëndryshe, nëse antiyjet kanë tendencë të ekzistojnë jashtë planit galaktik, mundësia për të thithur lëndë është e vogël. Në atë skenar, llogaritjet japin një antiyll për çdo 10 yje normale.

Por, të provosh që një objekt qiellor është antiyll, ngjan jashtëzakonisht e vështirë, sepse përpos rrezeve gama që lindin nga asgjësimi lëndë-antilëndë, çdo dritë tjetër që del nga antiyjet shfaqet njëlloj si drita e yjeve normale. "Do të ishte praktikisht e pamundur të thuash që kandidatët janë vërtet antiyje", thotë bashkëautori i studimit, Simon Dupourqué, një astrofizikan në Institutin e Kërkimit në Astrofizikë dhe Planetologji në Tuluzë, Francë. "Është shumë më lehtë ta kundërshtosh."

Astronomët mund të ndjekin se si ndryshojnë me kalimin e kohës rrezet gama ose sinjalet radio nga këta kandidatë, për të riparë nëse ata nuk janë realisht pulsarë. Studiuesit gjithashtu mund të kërkojnë në spektrin optik ose infra të kuq, i cili do të tregonte që realisht kandidatët nuk janë vrima të zeza.

"Gjithçka është ende paraprake ... por interesante", thotë Julian Heeck, një fizikan në Universitetin e Virxhinias në Charlottesville, i papërfshirë në këtë punë.

Ekzistenca e antiyjeve do të tregonte se sasi të konsiderueshme të antilëndës ia dolën të mbijetojnë në disa xhepa të izoluar të hapësirës. Por Heeck dyshon se antiyjet, edhe nëse ekzistojnë, do të ishin aq të bollshëm sa për të justifikuar të gjithë antilëndën që i mungon universit. "Mbetet ende nevoja për të shpjeguar se pse lënda dominon mbi antilëndën."

​

Marrë nga: https://www.sciencenews.org/article/antimatter-stars-antistars-milky-way-galaxy-space-astronomy?utm_source=Nature+Briefing&utm_campaign=241bf5e18c-briefing-dy-20210429&utm_medium=email&utm_term=0_c9dfd39373-241bf5e18c-45761594

 

Përktheu Kristina Hysi; përshtati Mimoza Hafizi; përshtati me faqen Edesa Behaj.

bottom of page