top of page

Teleskopi Chandra studion një magnetar të jashtëzakonshëm

15 Janar 2021

Me zbulimin e një magnetari (objekt që krijon fushë të fuqishme magnetike) në vitin 2020, astronomët i shtuan një anëtar të ri familjes së objekteve ekzotike. Vëzhgimet e reja nga Observatori i rrezeve X Chandra* i NASA-s mbështesin idenë se magnetari është një pulsar, pra lëshon impulse të rregullta drite.

 

Magnetarët janë një lloj i veçantë yjesh neutronike, objekte tepër të dendura këto, të përbëra kryesisht nga neutrone të ngjeshura me njëra-tjetrën, të cilat formohen nga shembja e bërthamës së një ylli masiv gjatë një supernove.

j1818_label.jpg

Ajo që i veçon magnetarët nga yjet e tjerë neutronikë është fusha magnetike që krijojnë, më e fuqishmja e njohur në univers. Për krahasim, fusha magnetike e planetit tonë ka një vlerë rreth 1 Gaus, ndërsa magnetet që ngjitim në frigoriferë shkojnë në 100 Gaus.  Kurse  magnetarët krijojnë fusha magnetike  prej rreth një milion miliardë Gauss!  Nëse një magnetar do të ndodhej larg  nesh sa një e  gjashta e distancës Tokë-Hënë(rreth 65 mijë km),  fusha e tij magnetike do të fshinte të dhënat nga  të gjitha kartat e kreditit në Tokë.

Më 12 Mars 2020, astronomët zbuluan një magnetar të ri me Teleskopin e NASA-s Neil Gehrels Swift. Ky është magnetari i 31-të që kemi arritur të njohim, ndërsa yje neutronike njohim rreth 3000.

 

Vëzhgimet e mëvonshme treguan që ky objekt, i emërtuar J1818.0-1607, ishte i veçantë për disa arsye. Së pari, ai është shumë i ri, mosha e tij është diku te 500 vjeç, më e vogla që njohim deri tani për magnetarët. Mosha gjendet duke studiuar ngadalësimin e ritmit të rrotullimit të magnetarit rreth vetes. Së dyti, ai rrotullohet më shpejt se çdo magnetar i mëparshëm, me një rrotullim për çdo 1.4 sekonda.

Vëzhgimet e Chandra të J1818.0-1607 të nisura pak javë pas zbulimit nga Suift iu treguan astronomëve pamjen e parë me rezolucion të lartë të këtij objekti në rreze X. Të dhënat e Chandra-s zbuluan një burim pikësor aty ku ndodhet magnetari, të rrethuar nga një emision i shpërhapur rrezesh X, që mendohet se shkaktohet nga pasqyrimi i këtyre rrezeve prej pluhurave aty rrotull si dhe nga shpërthimet e lëndës që hedh ylli neutronik.

Ky imazh përmban një fushë të gjerë shikimi në infra të kuqe nga dy misione të NASA-s, Spiral Space Telescope dhe Wide-Field Infrared Survey Explorer (WISE), fotografuar para zbulimit të magnetarit. Rrezet X, të kapura nga Chandra, janë ngjyrosur me vjollcë dhe tregojnë magnetarin.

Magnetari ndodhet afër planit të galaktikës Rruga e Qumështit në një distancë prej rreth 21,000 vite-dritë nga Toka.

 

* Chandra është teleskop hapësinor i NASA-s, që vrojton në diapazonin X të rrezatimit elektromagnetik. Është hedhur në vitin 1999 dhe vazhdon të na dërgojë informacione të çmuara rreth objekteve dhe ngjarjeve të energjive të larta në univers.

Përktheu: Kristina Hysi. Përshtati dhe redaktoi: Mimoza Hafizi. Përshtati për faqen: Edesa Behaj.

Marrë dhe përshtatur nga: https://www.nasa.gov/mission_pages/chandra/images/chandra-studies-extraordinary-magnetar.html

bottom of page