Sateliti Cheops i ESA-s zbulon një sistem unik planetar
2 Shkurt, 2021
Misioni Cheops i ESA-s, i orientuar drejt ekzoplanetëve, ka zbuluar një sistem planetar me 6 planetë, 5 prej të cilëve ndjekin të njëjtin ritëm rrotullimi rreth yllit qëndror. Përmasat dhe masat e planetëve nuk ndjekin ndonjë rregullsi. Kjo gjetje sfidon teoritë aktuale të formimit planetar.
Zbulimi sistemit të ri, aspak të ngjashëm me sistemin tonë Diellor, ndihmon për të përmirësuar dijet rreth formimit dhe evolucionit të planetëve. Sistemi planetar TOI-178, rreth 200 vite-dritë larg nesh, në yjësinë e Skulptorit, është një shembull i shkëlqyer.
Pas vrojtimit nga teleskopi i NASA-s TESS, astronomët prisnin që sistemi të kishte dy ose më shumë planetë. Vrojtimet shumë të sakta me Cheops - satelitin e ESA-s të hedhur në 2019-, treguan që ylli TOI-178 mban rreth vetes 6 planetë, që kanë një dinamikë unike.
Një karakteristikë speciale e sistemit TOI-178, që shkencëtarët mundën ta zbulonin me anë të Cheops-it, është që planetët (përveç njërit, më i afërti me yllin) ndjekin një ritëm rrotullimi, ndërkohë që lëvizin në orbitat e tyre. Kjo dukuri quhet rezonanca orbitale. Një rezonancë e ngjashme është parë me orbitat e tre satelitëve natyrorë të Jupiterit: Io, Europa dhe Ganimed. Kur Europa kryen një lëvizje të plotë rreth Jupiterit, Ganimed kryen dy orbita të plota dhe Io kryen 4 orbita të plota (pra raporti 4:2:1).
Në sistemin TOI-178, lëvizja rezonante është më komplekse dhe përfshin pesë planetë, në një raport 18:9:6:4:3. Ndërkohë që planeti i dytë më afër yllit kryen 18 orbita të plota, i treti kryen nëntë orbita të plota, e kështu me rradhë.
Burimi i fotos: ESA
Nga ana tjetër, dendësia e planeteve nuk ndjek ndonjë model të veçantë.
Studimi i sistemit planetar TOI-178 u bë i mundur mundur pas rreth 12 ditëve vëzhgim me teleskopin Cheops. Ky studim nxjerr në pah potencialin e Cheops-it jo vetëm për të zbuluar karakteristikat e planeteve të vëzhguar, por edhe në ndjekje të planetëve të rinj.
Grupi i kërkimit dëshiron të vazhdojë ende të përdorë Cheops-in në studimin e sistemit TOI-178, për më shumë detaje. “Ne mund të gjejmë planete të banueshme – ku uji mund të jetë i pranishëm mbi sipërfaqen e planetit – zonë që ndodhet jashtë orbitës së planetëve që kemi zbuluar deri më sot.”
“Ne gjithashtu duam të gjejmë çfarë ndodh me planetin e brendshëm, i cili nuk është në rezonancë me të tjerët. Ne dyshojmë se ai është shkëputur nga rezonanca për shkak të forcave të bashkëveprimit.
Cheops jo vetëm që do të thellojë kuptimin tonë për formimin e ekzoplanetëve, por edhe atë të planetëve të sistemit tonë Diellor", thonë studiuesit.
Cheops është një mision i zhvilluar nga ESA në bashkëpunim me Zvicrën, drejtuar nga Universiteti i Bern, dhe me kontribute të rëndësishëm nga Austria,Belgjika, Franca,Gjermania, Hungaria, Italia, Portugalia, Spanja, Suedi dhe Britania e Bashkuar.
Përktheu Sara Pushaj; Redaktoi e përshtati Mimoza Hafizi; Përshtati me faqen Edesa Behaj.