top of page

Në kërkim të ekzoplaneteve në Observatorin Jugor Evropian.

22 Shkurt 2021

Që nga drita e parë që shqyrtoi në vitin 2006, spektografi me rezolucion të lartë me rreze infra të kuqe CRIRES në teleskopin gjigand VLT të Observatorit Jugor Evropian (ESO) ka bërë një sërë zbulimesh shkencore. Spektografi i ri dhe i përmirësuar CRIRES+, që sapo pa dritën e parë, do të zhvillojë punën e paraardhësit dhe do të kërkojë për ekzoplanete me mundësi jete.

vlt.jpg

CRIRES+, një instrument i ndërtuar nga ESO në partneritet me institute evropiane, do të kërkojë qiellin për “super-Toka” të ndodhura në zonat e banueshme të yjeve të afërta me masë të vogël. Këto planete janë të vështira për t’u zbuluar, prej masës së tyre relativisht të vogël. Me CRIRES+, shkencëtarët do të jenë të pajisur më mirë për kërkimin e këtyre ekzoplaneteve, meqë do të mund të vrojtojnë më shumë yje në fqinjësinë tonë yjore. Qëllimet e tjera shkencore të CRIRES+ janë studimi i atmosferës së këtyre ekzoplaneteve, si dhe i origjinës dhe zhvillimit të fushave magnetike të yjeve.

Instalimi i këtij instrumenti në teleskopin VLT, në Observatorin Paranal të ESO-s në Kili u krye në fund të shkurtit të vitit të kaluar dhe drita e parë do të vrojtohej pak kohë më pas. Por, pandemia COVID-19 detyroi shtyrjen e vëzhgimeve testuese.

CRIRES+ vazhdon punën e paraardhësit CRIRES (CRyogenic high-resolution InfraRed Echelle Spectrograph), që u instalua në 2006. Është spektograf, instrument i cili i ndan rrezet infra të kuqe në ngjyrat përbërëse të tyre, dhe ndihmohet nga një modul optike adaptive, që korrigjon deformimet e imazheve të shkaktuara nga lëvizjet turbulente të atmosferës së Tokës.

Tashmë, pothuajse pesëmbëdhjetë vite më pas, CRIRES ka arritur një përmirësim të rëndësishëm, që e transformoi këtë instrument të VLT-së dhe rinovoi sistemin optik përshtatës. “Përmirësimi zgjeron me dhjetë herë diapazonin e gjatësive valore që mbulohen njëkohësisht,”– thotë Reinhold Dorn, menaxheri i projektit CRIRES+ të ESO-s. “CRIRES+ po kërkon në zona të paeksploruara më parë nga VLT,”- shton ai.

Që nga instalimi, CRIRES ka bërë zbulime të rëndësishme shkencore, si matja për herë të parë e gjatësisë së ditës në një ekzoplanet apo llogaritja e temperaturës së atmosferës së Plutonit. Shkencëtarët shpresojnë që CRIRES+ do të vazhdojë në udhën e arritjeve të bëra nga CRIRES.

“CRIRES+ do të jetë i vetmi spektograf me rezolucion të lartë për rrezet infra të kuqe, i montuar mbi një teleskop 8-metërsh, i pajisur me një sistem modern të optikës adaptive. Kjo do të sjellë një ndryshim të madh në studimin e ekzoplaneteve dhe yjeve me masë të vogël,”- thotë shkencëtari kryesor i CRIRES+, Artie Hatzes, nga Observatori Shtetëror i Tautenburgut të Gjermanisë. “Në veçanti, CRIRES+ do të jetë i pakrahasueshëm me vrojtuesit e tjerë tokësorë në aftësinë e tij studiuese të atmosferave ekzoplanetare.”

Përktheu: Rikardo Verri, përshtati: Mimoza Hafizi, përshtati me faqen: Edesa Behaj

Marrë nga ESO: https://www.eso.org/public/announcements/ann21003/

bottom of page