Meteoritet: Gurët që vijnë nga hapësira
11 Shkurt, 2021
Në pasditen e 13 dhjetorit të 1795-ës, tre punëtorë ferme në Yorkshire panë diçka mahnitëse. Një gur ra nga qielli dhe u gropos thellë në tokë pranë fshatit Wold Newton. Fqinjët erdhën duke vrapuar të shihnin atë çfarë dukej si zjarr pistolete. Në tokë, ata gjetën një gur të ngrohtë, sa madhësia e një buke.
Kjo copë e pazakontë shkëmbi, ndryshe nga ç’njihej në Anglinë e asaj kohe, e gjeti rrugën të mbërrinte në dorën e shkencëtarëve e të bëhej objekt studimi për ta, përfshirë edhe kimistin Edward Howard. Ai e analizoi atë bashkë me disa gurë të tjerë që ishin parë të binin nga qielli në të gjithë Evropën. Në një artikull historik të vitit 1802, Howard i futi të gjithë këta gurë në një klasë të re - objektet jashtëtokësore, që tashmë njihen si meteorite.
Meteoritet janë si kapsula kozmike, që të kthejnë mbrapa në kohë. Ato sjellin detaje të ngjarjeve që nga ditët e hershme të Sistemit Diellor. Instrumentet shkencore analizojnë me kujdes provat kozmokimike që ato bartin, si për shembull ndryshimet në raportet mes tre izotopeve të oksigjenit, të dhëna që mund të duken të pavlera për dikë joprofesionist.
Credit:Christine Floss/ANSMET/NSF/NASA
Magjepsja e njerëzimit me meteorite ka ndodhur shumë më herët se me gurin e rënë në Wold Newton. P.sh., një kamë hekuri e gjetur në varrin e faraonit egjiptian Tutankhamun, rreth vitit 1350 p.e.r, është modeluar nga një meteor i rënë.
Grupe të tëra meteoritesh janë zbuluar në Antarktidë dhe në shkretëtirat e nxehta, aty ku nivelet e ulëta të reshjeve krijojnë erozion të ulët, një faktor që mund të degradojë këta gurë. Në Anktartidë organizohen shumë ekspedita gjuetie për meteoritë, nga vende të ndryshme, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Aty, lëvizja e blloqeve të akullit i mbart meteoritet, si një rrip transportues, duke i përqendruar në rajone të caktuara.
Meteoritet mund të zbulojnë informacione shumë të vjetra, edhe më të vjetra se Sistemi ynë Diellor. Ata përmbajnë të dhëna për natyrën e hapësirës midis yjeve e reve të dendura molekulare që mund të formohen atje, si dhe mënyrën se si yjet e porsalindur formojnë elemente kimike. Studimet e meteoriteve dhe përbërësve të tyre kanë zbuluar se pozicioni ku lindi Sistemi Diellor në Galaktikën tonë ishte një zonë shumë më aktive për formimin e yjeve sesa mjedisi ynë aktual astrofizik.
Njëra nga figurat e shquara në fushën e meteoritikës është Harvey Nininger, autodidakt, përpjekjet e gjera kërkimore dhe mbledhëse të të cilit hodhën bazat e meteoritikës moderne në vitet 1930. Mbledhësit amatorë të meteoriteve vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në progresin e fushës, duke sjellë lloje të reja meteoritesh në dorën e studiuesve.
Përktheu: Kristina Hysi; Redaktoi: Rikardo Verri; Përshtati: Mimoza Hafizi; Përshtati në faqe: Edesa Behaj
Marrë e përshtatur nga nature.com