top of page

Një “kuti stolish yjore”, që mban brenda edhe vrima të zeza

14 Shkurt 2021

Hubble_uncovers_concentration_of_small_b

Kjo “kuti stolish të vjetra yjore”, një grup sferik yjor i quajtur NGC 6397, shkëlqen nga drita e qindra e mijëra yjeve. 

Astronomët përdorën Teleskopin Hapësinor Hubble të NASA/ESA për të gjetur distancën e grupit, 7800 vite-dritë larg. NGC 6397 është një nga grupet sferike më të afërta me Tokën.

​

Grupet sferike janë sisteme yjore shumë të dendura. Aty yjet rrinë krejt pranë njëri-tjetrit. Këto grupe janë gjithashtu shumë të vjetra, NGC 6397, p.sh., është gati po aq i vjetër sa vetë Universi.

​

Yjet blu të grupit janë drejt fundit të jetës. Ato kanë shterrur burimin e hidrogjenit dhe tani, në bërthamën e tyre, po “djegin” helium, pra po e shndërrojnë atë në një element tjetër kimik, duke ia marrë energjinë në temperature aq të larta, saqë duken në ngjyrë blu.

Kurse drita e kuqërremtë vjen nga gjigandët e kuq, yje që janë zgjeruar e rritur në diametër pasi kanë konsumuar hidrogjenin fillestar.

​

Miriada e objekteve të vogla e të bardha janë yje të ngjashme me Diellin tonë.

​

Duke studiuar lëvizjet reciproke të yjeve në NGC 6397, astronomët kanë gjetur se brenda këtij grupi sferik ndodhen shumë vrima të zeza, me masa të përafërta me Diellin tonë, të cilat nuk shihen, por ndikojnë në lëvizjen e yjeve të dukshme, në sajë të bashkëveprimit gravitacional.

Përktheu dhe përshtati: Mimoza Hafizi; përshtati me faqen, Edesa Behaj

Marrë nga ESA: https://www.esa.int/About_Us/Week_in_images/Week_in_images_08_-_12_February_2021

bottom of page