Zbulimi i një kuazari shumë të largët
18 Mars 2021
Me ndihmën e teleskopit VLT të ESO-s, astronomët kanë zbuluar dhe studiuar në detaje burimin më të largët deri më tani të rrezatimit radio. Burimi është kuazar - një objekt i shndritshëm, që emeton rryma të fuqishme rrezatimi në gjatësi vale radio – dhe ndodhet kaq larg, sa dritës së tij i është dashur të udhëtojë 13 miliardë vite për të ardhur tek ne. Ky zbulim mund të na japë të dhëna të rëndësishme për të kuptuar Universin e hershëm.
Kuazarët janë objekte shumë të ndritshme, që ndodhen në qendrat e disa galaksive dhe marrin energji nga vrima të zeza supermasive. Vrima e zezë thith gazin rreth e rrotull saj, e në këtë proces çlirohet energji, e cila ua bën të mundur astronomëve t’i zbulojnë këto objekte edhe kur ndodhen shumë larg nesh.
Kuazari i sapozbuluar, i quajtur P172+18, ndodhet kaq larg saqë drita e tij ka udhëtuar rreth 13 miliardë vite për të ardhur tek ne; ne e shohim atë ashtu siç ishte në ato periudha kur Universi kishte moshën rreth 780 milionë vjeç. Në fakt, astronomët njohin edhe kuazarë më të largët, por ky është më i largëti mes atyre që u tregojnë astronomëve shenja rrymash në valë radio. Vetëm 10% e kuazarëve – ata që astronomët i klasifikojnë në një grup me emrin “zhurmuesit-radio” - lëshojnë rryma të tilla, që ndrijnë fort në frekuencat radio.
P172+18 e merr energjinë prej një vrime të zezë me masë 300 milionë herë më të madhe se Dielli, e cila po konsumon vrullshëm gazin rrethues “Vrima e zezë po e gëlltit shumë shpejt lëndën, e po e rrit masën e saj me shpejtësinë më të madhe të vrojtuar ndonjëherë” shpjegon astronomja Chiara Mazzucchelli, e ESOs, në Kili, e cila udhëhoqi zbulimin bashkë me Eduardo Bañados, të Max Planck Institute për Astronominë në Gjermani.
Astronomët mendojnë se ka një lidhje të brendshme mes rritjes së shpejtë të vrimës së zezë dhe rrymës së fuqishme radio, të vrojtuar në kuazarët e tipit të ngjashëm me P172+18. Rrymat mendohet se janë të afta të turbullojnë gazin rrotull vrimës dhe të rritin, kështu, shpejtësinë e rënies së tij në vrimë. Në këtë mënyrë, duke studiuar këto objekte mund të marrim shumë të dhëna se si vrimat e zeza në Universin e hershëm u rritën e formuan supervrima të zeza, fill pas Big Bangut.
“Më duket shumë pasionante të zbulosh për herë të parë vrima të zeza ‘të reja’ dhe të gjesh gjithashtu informacione të reja për të kuptuar Universin e hershëm” thotë Mazzucchelli.
Anëtarët e ekipit janë entuziastë për zbulimin dhe besojnë se ky zhurmues-radio mund të jetë i pari në rradhën e shumë të tjerëve që do të zbulohen në të ardhmen, ndoshta dhe në distanca më të largëta kozmike. “Ky zbulim na bën optimistë dhe unë besoj dhe shpresoj se rekordi i distancës do të thyhet shpejt,” thotë Bañados.
Marrë nga ESO: https://www.eso.org/public/news/eso2103/?lang
Përktheu dhe përshtati: Mimoza Hafizi; përshtati me faqen: Edesa Behaj