top of page

Gëzuar Vitin e Ri marsian!

8 Shkurt, 2021

Pesë, katër, tre, dy, një... GËZUAR! Numërimi mbrapsht për një vit të ri është në shumë mënyra një moment përcaktues për jetën tonë në Tokë. Mosha jonë, stinët e vitit, plotësimi i detyrimeve... – gjithçka varet nga kohëzgjatja e orbitimit të Tokës rreth Diellit.

​

Në Mars nuk ka detyrime të përvitshme financiare, por teksa planeti orbiton rreth Diellit, koha atje matet në mënyrë të ngjashme me vite. Megjithatë, ka disa ndyshime të rëndësishme ndërmjet një viti në Mars dhe një viti në Tokë. Teksa futemi në Vitin e Ri në Mars, le të shohim ngjashmëritë dhe ndryshimet e një viti mes dy planeteve.

PHOTO-2021-02-07-15-53-06.jpg

687

Marrë nga: ESA, përshtatur në shqip nga: Rikardo Verri

Një vit në Mars është sa 687 ditë në Tokë. Këtij planeti i duhet pothuajse dyfish kohë për t’iu orbituar Diellit në krahasim me planetin tonë. Kjo do të thotë që mosha juaj do të ishte shumë më e vogël nëse do të jetonit në Mars. Në rast se doni të ndiheni më të ri, thjesht pjesëtoni moshën tuaj me 1.88 dhe përmendeni te shoqëria si moshën tuaj të vërtetë... në Mars.

• Një ditë marsiane, si në Tokë, përkufizohet si koha që i duhet planetit për të bërë një rrotullim rreth boshtit të tij. Ky quhet një sol. Një sol është pak më i gjatë se një ditë në Tokë: 24 orë dhe 39 minuta.

• Marsi ka katër stinë: dimri, pranvera, vera dhe vjeshta. Ato përcaktohen nga pozicioni i planetit përgjatë orbitës së tij rreth Diellit. Viti i Ri marsian fillon me ekuinoksin verior (në veri pranverë dhe në jug vjeshtë). Teksa Marsi kalon përmes trajektores vjetore, pjerrësia boshtore e planetit bën që hemisfera veriore të marrë më shumë dritë dielli gjatë verës veriore dhe hemisfera jugore të marrë më shumë gjatë dimrit verior, si në Tokë. Por ndryshe nga stinët në Tokë, stinët në Mars nuk janë njëlloj të gjata. Kjo ndodh sepse orbita e Marsit është më eliptike në krahasim me atë të Tokës. Për shembull, pranvera në hemisferën veriore (vjeshta në hemisferën jugore) zgjat më së shumti me 194 sole, ndërsa vjeshta në hemisferën veriore (pranvera në hemisferën jugore) zgjat më pak me 142 sole.

• Orbita eliptike e Marsit ka pasoja të rëndësishme për planetin. Gjatë pranverës dhe verës jugore, Marsi i drejtohet Diellit më afër dhe më shpejt. Rritja e ndriçimit ngroh atmosferën, duke shkaktuar trazira dhe rrjedhimisht duke ngritur grimca të imta nga toka marsiane për lart. Për këtë arsye, gjysma e dytë e vitit marsian shpesh shoqërohet me stuhi të forta rëre që mund të përhapen në të gjithë planetin.

• Ashtu si në Tokë, stina e dimrit është e ftohtë ndërsa ajo e verës është e ngrohtë, por temperatura e përgjithshme është shumë më e ulët. Planeti Mars ka një temperaturë mesatare vjetore -60 gradë Celsius. Atje shpesh ndodhin fenomene të ndryshme atmosferike përgjatë stinëve ku një i tillë, që përsëritet çdo vit afër pranverës dhe verës jugore, është Reja e Zgjatur e malit Arsia Mons, një re me kristale akulli që mund të shkojë deri në 1800 kilometra gjatësi. Ajo përsëritet për të paktën çdo 80 sole dhe pastaj zhduket gjatë pjesës tjetër të vitit.

• Kalendari marsian ka filluar mjaft vonë në krahasim me atë në Tokë. Numërimi ka filluar në vitin tokësor 1955, me zhvillimin e nje stuhie shumë të madhe rëre gjatë gjysmës së dytë, njohur si “stuhia e madhe e rërës së 1956-ës”.

7 shkurti i 2021-shit shënon fillimin e vitit të 36-të në Mars, ndërsa datat e viteve të tjera të Vitit të Ri në Mars jepen më poshtë.

Nëse po kërkoni një arsye për të festuar, ja një dolli për Vitin e Ri marsian!

Viti marsian

Data në Tokë

36

37

38

39

40

7 Shkurt 2021

26 Dhjetor 2022

12 Nëntor 2024

30 Shtator 2026

17 Gusht 2028

Përktheu dhe përshtati: Rikardo Verri, Redaktoi: Mimoza Hafizi, Përshtati për faqen: Edesa Behaj

Marrë nga: https://www.esa.int/Science_Exploration/Human_and_Robotic_Exploration/Happy_New_Year_on_Mars

bottom of page