top of page

Shkencëtarët-qytetarë ndihmojnë në krijimin e hartës 3D të “lagjes” sonë kozmike

23 Janar, 2021

A është Sistemi Diellor i rrethuar nga një fqinjësi tipike për Rrugën e Qumështit? Shkencëtarët i janë afruar përgjigjes së kësaj pyetjeje, falë projektit të financuar nga NASA “Backyard Worlds: Planet 9”, një bashkëpunim mes shkencëtarëve profesionistë dhe qytetarëve.

Shkencëtarët shfrytëzuan një rrjet mbarëbotëror prej 150,000 vullnetarësh, që u angazhuan të jenë pjesë e projektit “Backyard Worlds: Planet 9” për të gjetur xhuxhë kafë të panjohur më parë. Këto objekte janë topa gazi më të vegjël se yjet, pra ata nuk mund të ndezin reaksionet e bashkimit bërthamor, siç bëjnë yjet. Kurse  për ngjyrën "kafe" që mban emri i tyre, Ata do të dukeshin të purpurt ose të kuq-portokalli nëse dikush mund t'i shihte nga afër! Duke përpiluar një hartë  mjaft të plotë me këto objekte, shkencëtarët mund të kuptojnë nëse llojet e ndryshme të tyre janë njëlloj të shpërndara rrotull sistemit tonë diellor.

artist-concept-brown-dwarf.jpg

Përfytyrimi i një xhuxhi kaf. Burimi: NASA

Teleskopët mund t’i zbulojnë xhuxhët kafë ngaqë ata lëshojnë nxehtësi, në formën e rrezeve infra të kuqe, nxehtësi e mbetur që nga formimi i tyre. Rrezet infra të kuqe janë të padukshme për syrin e njeriut, por mundet na sjellin detaje të rëndësishme rreth xhuxhëve kafë dhe objekteve të tjera në të gjithë universin.

Rezultat i kësaj përpjekjeje shkencore të rrjetit të qytetarëve është harta më e plotë që kemi patur ndonjëherë me xhuxhët kafë të tipeve L, T dhe Y, të shpërndarë në fqinjësinë e afërt të Sistemit Diellor. Këto varietete mund të kenë temperatura deri në mijëra gradë, ose mund të jenë të ftohtë deri në ngrirje, siç janë  xhuxhët Y.

Fqinjësia në astronomi ka përmasa të ndryshme nga ajo në Tokë, sigurisht! Harta përfshin një rreze prej 65 vitesh-dritë, ose rreth 615 triliard kilometra, ku “fqinjët e afërt” banojnë jo më larg se 35 vite-dritë, ose 330 triliard kilometra.

Shkencëtarët-qytetarë filluan të kërkojnë për kandidatë xhuxhësh kafë që nga viti 2017. Ata përdorën të dhënat e mbledhura mes viteve 2010 e 2011 nga sateliti Near-Earth Object Wide-Field Infrared Survey Explorer (NEOWISE), i NASAs. Teleskopi Hapësinor Spitzer i NASA-s ishte i vetmi observator operativ që mund të konfirmonte distancat dhe pozicionet e xhuxhëve kafë, por Spitzeri do të dilte jashtë përdorimit në Janar të 2020. Ndaj kërkohej nxitim për të gjetur sa më shumë xhuxhë kafë, që Spitzer të arrinte të zbulonte vendndodhjet e tyre. Për fat të mirë, shkencëtarët qytetarë ndihmuan të kapeshin ditët - ata zbuluan dhjetra e dhjetra xhuxhë kafë të rinj.

Ekipi përfshiu shumë nxënës të shkollave të mesme. Këta nxënës si dhe vullnetarë të tjerë nga e gjithë bota renditen si bashkautorë të studimit, i cili u prezantua në takimin e 237-të të Shoqatës Amerikane Astronomike.

 “Pa shkencëtarët qytetarë, ne nuk do të mund të kishim krijuar një katalog kaq të plotë në një kohë kaq të shkurtër,” tha J. Davy Kirkpatrick, shkencëtar në Caltech / IPAC në Pasadena dhe drejtues i studimit. “Duke pasur në dispozicion fuqinë e mijëra syve kërkues të të dhënave, ne mundëm të gjejmë shumë më shpejt kandidatët për xhuxhë kafë. ”

Studimi shfaqi disa surpriza. Kështu, nga shtatë objektet më të afërta me sistemin tonë diellor, tre janë lloje të rralla xhuxhësh kafë. Pjesa tjetër janë yje normalë: xhuxhët e kuq Proxima Centauri e Ylli i Barnard, dhe yjet Alpha Centauri A dhe B, të ngjashme me Diellin.

“Nëse do ta vendosnit Diellin në një vend të rastësishëm brenda hartës sonë 3D dhe do të pyesnit, ‘Si duken fqinjët e tij?’, ne zbulojmë se ata duken shumë ndryshe nga si janë fqinjët tanë aktualë, " tha Aaron Meisner, ndihmës shkencëtar në National Science Foundation’s dhe bashkëautor i studimit.

Pra, a ndodhet vërtet Dielli në një “lagje kozmike” jashtëzakonisht të larmishme, apo kjo duket ngaqë disa tipe xhuxhësh janë më të lehtë për t’u dalluar sesa të tjerët? Astronomët do të duhet të hetojnë më tej për të zbuluar.

Shkencëtarët do të mësojnë edhe më shumë rreth xhuxhëve kafë me James Webb Space Telescope, teleskopin e ri të NASA-s, që do të hidhet së shpejti. Ai do të shqyrtojë në detaje këto objekte misterioze me anën e rrezeve infra të kuqe. Edhe misioni i ardhshëm i NASA-s SPHEREx, i cili do të vrojtojë të gjithë qiellin në infra të kuqe, paraqet mundësi të reja për këto objekte.

Projekti “Backyard Worlds: Planet 9” është ende në vazhdim dhe  i hapur për këdo në të gjithë botën që dëshiron të bashkohet me kërkimin për të gjetur më shumë objekte misterioze nga të dhënat e instrumenteve hapësinore.

 

Përktheu: Kristina Hysi. Përshtati dhe redaktoi: Mimoza Hafizi. Përshtati për faqen: Edesa Behaj.

Marrë e përshtatur nga NASA: https://www.nasa.gov/feature/citizen-scientists-help-create-3d-map-of-cosmic-neighborhood

bottom of page