Sateliti i parë i Kinës mbërrin në Mars
16 Shkurt 2021
Tianwen-1 do të studiojë gjeologjinë e planetit, karakteristikat e truallit dhe do të kërkojë për ujë dhe akull. Kina ka arritur një tjetër sukses në hapësirë. Anija e saj e parë kozmike, e ndërtuar për të studiuar Marsin, mbërriti në këtë planet me 10 shkurt, rreth orës 20:00 të Pekinit, një ditë pas anijes kozmike Hope të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Tianwen-1 duke u sjellë në orbitë rreth Marsit. Burimi: Administrata Kombëtare e Hapësirës/ Xinhua nga Zuma
Kina ka arritur një tjetër sukses në hapësirë. Anija e saj e parë kozmike, e ndërtuar për të studiuar Marsin, mbërriti në këtë planet me 10 shkurt, rreth orës 20:00 të Pekinit, një ditë pas anijes kozmike Hope të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Tani Tianwen-1 po sillet në orbitën e planetit të kuq. Pas 3 muajsh, ajo do të lëshojë një zbarkues dhe një rover në sipërfaqen e Marsit, të cilët do të ekplorojnë gjeologjinë dhe karakteristikat e truallit, duke kërkuar edhe për ujë e akull.
“Arritja me sukses e orbitës së Marsit është njëra nga sfidat kryesore të misionit” thotë Li Chunlai, zëvendës-shefi projektues i programit të eksplorimit të Marsit. "Por, angazhimi ynë vazhdon të jetë i plotë - thotë ai, - ngaqë misioni po përgatitet të ulet në mënyrë autonome në hemisferën veriore të planetit." Nëse ulja është e suksesshme, roveri, i cili mban 6 paisje, do të eksplorojë planetin gjatë të paktën 92 ditëve marsiane, secila prej të cilave është ekuivalente me një ditë-natë tokësore plus 37 minuta.
Ndërkohë Tianwen-1 në orbitë, me 7 paisjet shkencore që ka, do të fotografojë pamje të sakta në zonën e zbarkimit të quajtur Utopia Planitia – një basen i sheshtë guri vullkanik. Zona është afër vullkanit të madh Elysium Mons, ku forma e terrenit mendohet se ka lidhje me praninë e ujit dhe akullit, thotë Li. Misioni do të eksplorojë nëse ka ekzituar dikur një oqean në veri të Marsit, si dhe do të studiojë evolucionin gjeologjik e vullkaneve.
Planet ambicioze
Tianwen-1 do të testojë teknologjitë që Kina kërkon të zhvillojë për një mision të ri, nga fundi i kësaj dekade, i cili synon të sjellë në Tokë copëra trualli nga Marsi, si dhe misione më afatgjata për të dërguar njerëz në Mars, thotë David Flannery, astrobiolog në Universitetin Queensland në Brisbane, Australi.
Topografia e vendeve të zbarkimit, niveli i ulët i rrezatimit diellor dhe kozmik, bashkë me mundësinë për ujë dhe akull, “e bëjnë një zonë ku mund të shqyrtohet zbritja e misionit të parë me njerëz”, thotë Flannery.
"Një radar për studim nëntokësor në bordin e orbituesit do të ndihmojë në studimin e strukturës poshtë akullit polar të Marsit" ,thotë Roberto Orosei, një shkenctarë planetar i Institutit të Radioastronomisë në Bolonja, Itali. Sateliti europian Mars Express, një orbitues që i sillet rrotull Marsit që nga viti 2003, ka gjetur ujë në shtresat poshtë sipërfaqes në polin e jugut. Orosei shpreson që radari Tianwen-1, i cili mund zbulojë struktura më thellë se 100 metra nën sipërfaqe, do të ndihmojë për të shpjeguar se si vazhdon të ketë ende ujë në liqenet nëntokësore.
"Tianwen-1 do të vazhdojë të mbledhë të dhëna për vite të tëra. Kjo është e rëndësishme, sepse misioni europian Mars Expres, në funksion prej 2 dekadash, mund të jetë afër fundit të jetës", thotë Orosei.
Përktheu: Sara Pushaj; Redaktoi i përshtati: Mimoza Hafizi; Përshtati me faqen: Edesa Behaj
Marrë nga revista Nature: https://www.nature.com/articles/d41586-021-00361-z?utm_source=Nature+Briefing&utm_campaign=bb74cc06c8-briefing-dy-20210210&utm_medium=email&utm_term=0_c9dfd39373-bb74cc06c8-45761594