top of page

Pretendimet për jetë në planetin Afërditë përballen me sfidën më të madhe

31 Janar, 2021

Studimi i ri godet një raport të diskutueshëm mbi vëzhgimin e fosfinës në atmosferën e planetit.

Dy studime i kanë dhënë goditje idesë se atmosfera e Afërditës mund të përmbajë gazin fosfinë, një shenjë kjo e mundshme për jetën mbi planet.

Pretendimi për praninë e këtij gazi në Afërditë shkundi shkencën planetare në shtatorin e kaluar, kur kërkuesit raportuan se kishin gjetuar gjurmë të spektrit të fosfinës në të dhënat e teleskopit. Në rast konfirmimi, zbulimi do të thotë se këtë gaz e lëshojnë organizmat që lëvizin përmes reve të Afërditës. Që atëherë, studime të ndryshme e kanë sfiduar raportin, edhe pse nuk e kanë hedhur poshtë.

Tani, një grup shkencëtarësh kanë publikuar kritikën më të madhe deri më sot. “Çfarë sjellim është një këndvështrim gjithëpërfshirës apo një mënyrë tjetër e të shpjeguarit të këtyre të dhënave, që ajo nuk është fosfinë”, thotë Victoria Meadows, astrobiologe në Universitetin e Uashingtonit në Siatëll, e cila  ndihmoi në udhëheqjen e studimeve të fundit. Të dyja studimet janë pranuar për publikim në Astrophysical Journal Letters dhe postuar në serverin arXiv më 26 janar. 

aferdita.jpg

Sateliti japonez Akatsuki fotografoi këtë imazh të reve të Afërditës në rreze ultravjollcë.
Nga: ISAS, JAXA, Akatsuki; Procesimi: Meli thev

Shpjegimet alternative

Në njërin studim, Meadows dhe kolegët e saj analizuan të dhënat nga njëri teleskop i përdorur për konkluzionin mbi fosfinën dhe nuk mundën të kapnin spektrin dallues të gazit. Në studimin tjetër shkencëtarët llogaritën se si do të kishin vepruar gazet në atmosferën e Afërditës dhe dolën në përfundimin se ajo çfarë është menduar si fosfinë nga skuadra e parë është në fakt dioksid squfuri (SO2), një gaz i zakonshëm në Afërditë dhe jo një shenjë e mundshme jete.

“Raportimet e fundit tregojnë fare qartë se nuk ka asnjë shenjë të këtij gazi,”- thotë Ignas Snellen, astronom në Universitetin e Leidenit në Vendet e Ulëta (Hollandë), i cili ka publikuar një kritikë tjetër mbi studimin e fosfinës. “Kjo do të thotë se i gjithë debati mbi fosfinën, apo edhe mundësinë për jetë në atmosferën e Afërditës, është i pavend.”

Jane Greaves, astronomja në Universitetin e Kardifit në Mbretërinë e Bashkuar, e cila drejtoi grupin që dha konkluzionin mbi fosfinën, thotë se ajo dhe kolegët po i shqyrtojnë studimet e reja dhe do t’i komentojnë pasi t’i kenë vlerësuar.

Mundësitë për konfirmimin e pranisë së fosfinës në Afërditë janë të mëdha. Në Tokë, ky gazi i përbërë nga një atom fosfor dhe tri atome hidrogjen, mund të vijë nga burime industriale, si tymi i dizinfenktantëve, apo nga burime biologjike, si mikrobet. Me raportimin e zbulimit të fosfinës në Afërditë, Greaves dhe kolegët e saj thanë që prania e gazit mund të tregojë se ka jetë në planet, përderisa nuk ka gjasa për burimet e tjera.  

Por, pretendimi qëndron mbi një seri vëzhgimesh dhe konkluzionesh që shkencëtarët e tjerë janë duke i kundërshtuar përgjatë muajve të fundit.

Kundërshtimet

Skuadra e Greaves fillimisht përdori Teleskopin James Clerk Maxëell (JCMT) në Hauai për të vëzhguar një vijë spektrale mbi atmosferën e Afërditës, në frekuencën 266.94 gigahertz, frekuencë rreth të cilës edhe fosfina edhe dioksidi i squfurit përthithin dritën. Shkencëtarët konfirmuan ekzistencën e vijës duke përdorur rrjetin e antenave ALMA në Kili. Me ndihmën e ALMA-s ata kërkuan për vija të tjera spektrale që i pritnin nëse origjina do të ishte dioksidi i squfurit, por nuk i gjetën. Sipas tyre, kjo tregoi se vija e vrojtuar në 266.94 GHz vinte prej fosfinës.

Por, doli se të dhënat e ALMA-s që  skuadra po përdorte ishin procesuar gabim nga observatori. Kur filloi debati mbi fosfinën në Afërditë, menaxherët e ALMA-s e kuptuan gabimin, tërhoqën të dhënat e papërpunuara, i procesuan sërish dhe publikuan paketën e ripërpunuar në nëntor. Greaves me grupin i analizuan të dhënat e reja dhe dolën në përfundimin se gazin fosfinë po e kapnin prapë, megjithëse në nivele më të ulëta nga sa u raportua fillimisht.

Pikërisht këto të dhëna të riprocesuara të ALMA-s janë baza e studimeve që e sfidojnë pretendimin. Një skuadër që përfshin Meadows dhe drejtuar nga Alex Akins, një kërkues teknolog pranë Laboratorit Jet Propulsion në Pasadena, Kaliforni, synoi përsëritjen e punës së grupit të Greaves duke analizuar të dhënat e ripërpunuara që u nxorrën për publikun. Por ato nuk e gjetën vijën spektrale të fosfinës. “Thjesht nuk jemi në gjendje ta shohim,”- thotë Akins.

Kjo është analiza e parë e të dhënave të riprocesuara të ALMA-s, që publikohet nga një skuadër e pavarur.

Studimi i dytë shqyrton vijën e vrojtuar në 266.94 GHz nga JCMT. Andrew Lincowski, një astronom në Universitetin e Uashingtonit i propozoi Meadows, Akins dhe të tjerëve të modelonin atmosferën e Afërditës në lartësi të ndryshme. Kështu, ata zbuluan se vrojtimi i JCMT-së shpjegohet më mirë nga prania e SO2 në mbi 80 kilometra mbi sipërfaqen e planetit dhe jo nga fosfina në 50-60 kilometra mbi sipërfaqe, siç pretendonte skuadra e Greaves.

Gjithsesi, çështja akoma nuk është mbyllur. Studimet e reja kundërshtojnë praninë e fosfinës, por nuk e përjashtojnë atë. “Ka hapësirë për interpretime,”- thotë Meadows.

“Përfundimisht, debati mund të zgjidhet nga vëzhgime të reja të Afërditës, shumë prej të cilave janë planifikuar në muajt dhe vitet e ardhshme,”- thotë Atkins. “Derisa të shohim diçka të re, situata do të vazhdojë të vërtitet.”

bottom of page