Perseverance e NASA-s prek truallin marsian
19 Shkurt 2021
Roveri më i madh dhe më modern që NASA ka dërguar ndonjëherë në hapësirë, më në fund preku truallin marsian, pas 203 ditësh udhëtimi, gjatë të cilave përshkoi 472 milionë kilometra. Konfirmimi se ulja u krye me sukses erdhi mbrëmë nga Jet Propolsion Laboratory i NASA-s, në Kaliforinë jugore, në orën 21e55 minuta, aty ku ndodhet misioni i kontrollit.
Anëtarët e skuadrës së NASA-s, Perseverance Mars, në Jet Propulsion Laboratory në Pasadena, Kaliforni, po shohin imazhet e para që mbërrijnë pasi anija preku me sukses truallin marsian, të enjten, 18 Shkurt, 2021. Objektivi kyç i misionit të Perseverancës do të jetë astrobiologjia, përfshirë edhe shenjat për jetën e dikurshme mikrobiale. Roveri do të gjejë karakteristikat gjeologjike të Planetit të Kuq dhe klimës së hershme të tij, do të shtrojë rrugën për eksplorime të tij me njerëz dhe do të mbledhë për herë të parë mostra shkëmbinjsh e trualli nga Marsi.
Burimi: NASA/Bill Ingalls
Roveri më i madh dhe më modern që NASA ka dërguar ndonjëherë në hapësirë, më në fund preku truallin marsian, pas 203 ditësh udhëtimi, gjatë të cilave përshkoi 472 milionë kilometra. Konfirmimi se ulja u krye me sukses erdhi mbrëmë nga Jet Propolsion Laboratory i NASA-s, në Kaliforinë jugore, në orën 21e55 minuta, aty ku ndodhet misioni i kontrollit.
I paketuar me teknologjinë më të lartë brenda misionit Mars 2020, ai është hedhur me 30 Korrik nga Stacioni Hapësinor Cape Canaveral, vitin e kaluar. Roveri Perseverance shënon një hap ambicioz përpara në përpjekjen për të mbledhur copëra nga Marsi e për t’i kthyer në Tokë.
“Kjo ulje është nga ato çaste themelore për NASA-n, Shtetet e Bashkuara dhe eksplorimin hapësinor – në të cilat ne e ndiejmë se po përjetojmë një hov të ri në zbulime dhe i mprehim lapsat për të rishkruar librat e dijes,” tha administratori i NASAs Steve Jurczyk. “Misioni Perseverance Mars 2020 mishëron shpirtin e kombit tonë për të këmbëngulur edhe në situatat më sfiduese, për të frymëzuar dhe çuar përpara shkencën dhe eksplorimin. Ky mision personifikon në vetvete idealin njerëzor për të këmbëngulur drejt së ardhmes dhe do të na ndihmojë që të përgatisim misionin e eksplorimit me njerëz të Planetit të Kuq.”
Ky gjeolog dhe astrobiolog robotik, me përmasat e një veture, me peshë 1026 kg, do të bëjë shumë teste, për disa javë, para se të fillojë shqyrtimin shkencor dyvjeçar të kraterit Jezero të Marsit. Nga kërkimet e roverit nëpër gurët dhe sedimentet e liqenit dhe deltas së lumit të dikurshëm, do të gjenden gjurmë të gjeologjisë dhe klimës së mëparshme. Një pjesë e rëndësishme do të jetë astrobiologjia, kërkimi i shenjave për jetën e dikurshme mikrobike. Për këtë qëllim, nga NASA dhe ESA është planifikuar një fushatë e quajtur “Kthimi i Mostrave të Marsit”, e cila do t’i lejojë shkencëtarët të studiojnë në Tokë copërat e mbledhura nga Perseverance, e të qëmtojnë për shenja sa më të sigurta të jetës në epokat e vjetra. Për këtë, duhet që të dërgohen në Planetin e Kuq instrumente të tjera, shumë më të mëdha e më komplekse.
“Ngjarja e sotme na çon një hap më pranë qëllimit tonë që mostra të pastra të planetit fqinj, mbledhur në zona të tij të dokumentuara me kujdes, të na vijnë në Tokë,” tha Thomas Zurbuchen, nën-administrator për shkencën i NASA-s. “Perseverance është hap i parë për t’i sjellë tek ne. Ne nuk e dimë se çfarë do të na tregojnë këto mostra të pastra. Por ajo çfarë do të na thonë do të jetë monumentale - përfshirë dhe faktin se jeta mund të ketë ekzistuar dikur përtej Tokës sonë.”
Krateri Jezero, 45 kilometra i gjerë, ndodhet në pjesën perëndimore të Isidis Planitia, një basen gjigand në veri të ekuatorit marsian. Shkencëtarët kanë gjetur se 3.5 miliardë vjet më parë, krateri kishte një deltë lumi dhe ishte i mbushur me ujë. Perseverance do të gërryejë zonën Jezero për mbetje fosile të jetës së lashtë mikroskopike, duke marrë mostra gjatë rrugëtimit.
Perseverance shtron rrugën për misione me njerëz
Gjatë zbritjes së mbrëmshme, njëri nga instrumentet mblodhi të dhëna të reja për atmosferën e Marsit, kurse një tjetër instrument e udhëhoqi në mënyrë autonome anijen gjatë fazës zbritëse. Të dyja këto instrumente pritet të ndihmojnë që misionet e ardhshme me njerëz të ulen të sigurta, edhe me ngarkesë më të rëndë.
Përpos instrumenteve të tjera që japin pamje 3D të fushës marsiane, apo që kryejnë analiza kimike të shkëmbinjve e sedimenteve dhe matin fortësinë e tyre, që kryejnë analiza të pranisë së mineraleve dhe molekulave organike, të cilat janë blloqet ndërtuese të jetës në Tokë, Perseverance bart instrumente të orientuara për misionet e ardhshme njerëzore. Një radar i vendosur në shasi do të penetrojë sipërfaqen e Marsit për të përcaktuar se si formohen me kohën shtresat e ndryshme të truallit dhe mund të orientojë sensorët e ardhshëm për depozita nëntokësore uji. Një instrument tjetër do të përpiqet të prodhojë oksigjen nga dyoksidi i karbonit, që mban me shumicë atmosfera e hollë marsiane. Një analizues do të japë informacione bazike mbi klimën, motin dhe pluhurat.
Helikopteri Mars Ingenuity, tani për tani i lidhur me roverin, do të përpiqet të fluturojë në atmosferë: ky do të jetë fluturimi i parë i kontrolluar në një planet tjetër. Nëse do të realizohet me sukses, Ingenuity do t’i shtojë dimensionin ajror eksplorimit të Planetit të Kuq. Këta helikopterë do të ishin shumë të dobishëm për funksionimin e astronautëve mbi Mars.
Më shumë për misionin
Objektivi i parë i Perseverancës është kërkimi astrobiologjik, përfshirë kërkimin për shenja jete mikrobiale. Roveri do të karakterizojë gjeologjinë e planetit, klimën e dikurshme dhe do të jetë misioni i parë që do të mbledhë copëra trualli, duke shtruar rrugën për zbritjen e njeriut në Planetin e Kuq.
Misionet vijuese të NASA-s, në bashkëpunim me ESA-n, do të dërgojnë në Mars anije për të marrë mostrat e mbledhura e për t’i kthyer në Tokë, për një analizë më të thellë.
JPL, një division i Caltech në Pasadena, Kaliforni, administron për NASA-n misionin Perseverance Mars 2020 dhe demonstrimin teknologjik të Helikopterit Mars Ingenuity.
​
​
​
​
Përktheu dhe përshtati : Mimoza Hafizi, përshtati me faqen : Edesa Behaj
Burimi: NASA https://www.nasa.gov/press-release/touchdown-nasas-mars-perseverance-rover-safely-lands-on-red-planet