top of page

OSIRIS-Rex* i NASA-s përmbyll fluturimin e fundit pranë Asteroidit Bennu

17 Prill 2021

OSIRIS-Rex i NASA-s e përmbylli edhe fluturimin e fundit pranë asteroidit Bennu, në 7 prill, dhe tani po largohet ngadalë prej tij; gjithsesi, grupi i misionit duhet të presë edhe disa ditë për të kuptuar se si anija kozmike e ndryshoi sipërfaqen e Bennu-së në kohën kur ai “shkuli” një mostër prej tij, veprim i quajtur TAG (Touch and Go - Preke dhe Ik).

osiris.png

Kjo foto tregon një pamje nga lart poshtë të asteroidit Bennu, ku një pjesë e ekuatorit të tij dhe hemisfera veriore janë të ndriçuar. Është shkrepur nga kamera Polycam e anijes kozmike OSIRIS-Rex, në 4 Mars 2021, nga një distancë rreth 300 km. Fotoja është marrë gjatë fazës Post-TAG të Operacionit, kur anija kozmike po i afrohej ngadalë Bennu-së në përgatitjen për fluturimin e fundit, në 7 Prill.

Grupi i OSIRIS-REx ia shtoi misionit edhe këtë fluturim të fundit nga nevoja për të dokumentuar ndryshimet e sipërfaqes së asteroidit nga TAG, me 20 tetor 2020. “Nga survejimi i shpërndarjes së materialit të gërmuar në vendin e TAG, ne do të mësojmë më shumë për natyrën e materialeve në sipërfaqe dhe nën sipërfaqe, ashtu si dhe për vetitë mekanike të asteroidit” thotë Dr. Dante Lauretta, përgjegjësi kryesor për OSIRIS-Rex në Universitetin e Arizonës

Gjatë këtij fluturimi të fundit të OSIRIS-Rex, Bennu u vëzhgua për 5.9 orë, duke kryer më shumë se një rrotullim të plotë rreth asteroidit. Ai iu afrua 3.5 km sipërfaqes së Bennu-së – më e afërta distancë qëkur TAG kapi mostrën.

“Ne mblodhëm rreth 4000 megabite të dhëna gjatë këtij fluturimi,” thotë Mike Mareau, zëvendës-menaxheri i projektit të  OSIRIS-Rex. “Tani Bennu është gati 300 milionë kilometra larg nga Toka e ne mund të shkarkojmë vetëm 412 kilobite për sekondë të dhëna dhe vetëm për disa orë gjatë ditës. Kështu, do të duhen disa ditë për të shkaktuar të gjitha të dhënat e fluturimit.”

Sapo grupi të marrë pamjet dhe të dhënat e plota, do të studiohet se si OSIRIS-Rex kërceu mbi sipërfaqen e Bennu-së. Gjatë TAG, koka e anijes u zhyt 48.8 centimetra brenda sipërfaqes së asteroidit dhe ndërkohë ndezi një ngarkesë azoti me presion të lartë. Kështu, një sasi e madhe materiali u godit, duke ngritur përpjetë shkëmbinj e pluhur.

OSIRIS-Rex, bashkë me ngarkesën e lëndës origjinale të marrë nga asteroidi, do të rrijë në afërsi të tij deri më 10 Maj, ditë kur do të ndezë motorrat për të filluar fluturimin 2 vjeçar për në shtëpi. Misioni do ta dorëzojë mostrën e asteroidit në Tokë më 24 shtator 2023.

Qendra e Fluturimit Hapësinor Goddard e NASA-s në Greenbelt, Mariland, siguron menaxhimin e të gjithë misionit, sistemet inxhinjerike, sigurinë dhe misionin e sigurtë të OSIRIS-REx. Dante Lauretta i Universitetit të Arizonës, Tucso, përgjegjësi kryesor, drejton gjithashtu edhe grupin shkencor si dhe planifikimin e vëzhgimit shkencor dhe të përdorimit të të dhënave.

Lockheed Martin Space në Denver ndërtoi anijen kozmike dhe siguroi operacionet e fluturimit. Qendrat Hapësinore Goddard dhe KinetX janë përgjejgjëse për navigimin e OSIRIS-REx. OSIRIS-REx është misioni i tretë i NASA-s “Programi i Kufinjve të Rinj”, i cili menaxhohet nga Qendra e Fluturimeve Hapsinore Marshall në Huntsville, Alabama,

Për më shumë informacione mund të vizitoni: https://www.nasa.gov/osiris-rex

* OSIRIS-REx (Origins Spectral Interpretation Resource Identification Security Regolith Explorer)

Marrë nga NASA, https://www.nasa.gov/feature/goddard/2021/nasa-osiris-rex-completes-final-tour-of-asteroid-bennu

 Përktheu Sara Pushaj; Redaktoi Mimoza Hafizi; Përshtati me faqen Edesa Behaj.

bottom of page