Orbituesi ExoMars sjell foto nga Perseverance
18 Mars, 2021
Orbituesi Trace Gas i ESA-Roscosmos ka arritur të shohë roverin Perseverance të NASAs, parashutën e tij dhe mburojën ndaj nxehtësisë në zonën e Kraterit Jezero të Marsit. Imazhet u kapën nga kamera CaSSIS e orbituesit, me 23 Shkurt. Të gjitha këto pjesë shihen si pika të errëta ose të ndritshme në figurë.
Vendndodhja e zbritjes së Perseverance (me shënimet përkatëse: “Parachute and the Back shell”: Parashuta dhe mbështjellësja e prapme; Heat shield: mburoja nga nxehtësia.)
Roveri zbriti mbi Mars me 18 Shkurt 2021 dhe u identifikua fillimisht nga fotot e orbituesit të NASAs Mars Reconnaissance. Perseverance do të eksplorojë Kraterin Jezero të Marsit - që mendohet të ketë patur dikur një liqen - për të gjurmuar shenjat e ndonjë jete të dikurshme mikrobike. Ai do të mbledhe mostra nga shkëmbijtë dhe dherat marsiane, që një mision i mëvonshëm t’i sjellë në Tokë, si pjesë e misionit "Kthimi i Mostrave të Marsit", të ESA-NASAs.
Orbituesi ExoMars Trace Gas do të vazhdojë të sjellë të dhëna të dobishme për misionet e ardhshme të NASAs si dhe për misionin e ardhshëm ExoMars, i cili do të çojë për të zbritur në Planetin e Kuq roverin europian Rosalind Franklin dhe platformën sipërfaqësore ruse Kazachok, në vitin 2023. Në të njëjtën kohë, orbituesi Trace Gas Orbiter do të vazhdojë misionin e vet shkencor, duke u fokusuar te analiza e atmosferës së planetit e në veçanti në kërkimin e gazeve që kanë lidhje me proceset biologjike dhe gjeologjike.
​
​
​
​
Marrë nga ESA : https://www.esa.int/Science_Exploration/Human_and_Robotic_Exploration/Exploration/ExoMars/ExoMars_orbiter_images_Perseverance_at_landing_site
Përktheu dhe përshtati, Mimoza Hafizi; përshtati me faqen Edesa Behaj