top of page

NEW HORIZONS I NASA-S ARRIN  NJË OBJEKTIV TË RRALLË HISTORIK NË HAPËSIRË

26 Prill, 2021

50 herë më larg se distanca e Diellit nga Toka, eksploruesi i famshëm i Plutonit fotografon vendndodhjen e Voyager 1 nga Brezi Kuiper.

new horizons.jpg

Mbresë artistike për sondën New Horizons të NASA-S, e cila në Janar 2019 u afrua me objektin 2014 MU69 të Brezit Kuiper.  Credits: NASA/JHUAPL/SwRI

Në javët që pasuan hedhjen e saj në hapësirë, në vitin 2006, sonda New Horizons e NASA-s ndodhej aq afër nesh, sa që duheshin vetëm pak minuta për t’i nisur kompjuterit të saj një komandë e për të dëgjuar se ai e mori komandën dhe ishte gati për të ndjekur udhëzimet. 

Pasi New Horizons kaloi Sistemin Diellor dhe distanca e tij nga Toka kërceu nga miliona në miliarda kilometra, kjo kohë midis kontakteve u rrit në disa orë. Dhe në 18 Prill 12:42 UTC, New Horizons arriti një largësi të shënuar: 50 njësi astronomike nga Dielli ose 50 herë më larg prej tij se sa Toka.

New Horizons është vetëm e pesta sondë që shkon kaq larg në thellësi, duke ndjekur legjendarët Voyagers 1 e 2 dhe pararendësit e tyre, Pioners 10 dhe 11. Është thuajse 7.5 miliardë kilometra larg, një zonë ku komandave të dërguara me valë radio, ndonëse me shpejtësinë e dritës, u duhen 7 orë për të mbërritur. Më pas, shtoni edhe 7 orë të tjera përpara se grupi i kontrollit në Tokë të zbulojë nëse mesazhi është marrë.

“Është vështirë të imagjinosh diçka kaq të largët”, thotë Alice Bowman, menaxhere e operacioneve të misionit New Horizons në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar, John Hopkins, në Laurel, Mariland. “Ajo çfarë e bën këtë distancë të prekshme është koha që na duhet neve në Tokë të konfirmojmë se sonda i mori udhëzimet tona. Nga një ngjarje thuajse e çastit ajo kthehet në një interval 14 orësh. Kjo i bën reale distancat ekstreme.”

Për ta festuar ngjarjen, New Horizons fotografoi së fundmi fushën e pamjes ku ndodhet kushërira e saj e distancave të largëta, sonda Voyager 1. Kurrë më parë nuk ishte realizuar një fotografi e ngjashme! Në fakt, Voyager 1 është shumë e zbehtë dhe nuk shihet direkt në foto, por vendndodhja e saj njihet saktësisht për shkak të gjurmimit në valë radio nga NASA.

voyager 1.png

Përshëndetje, Voyager! Nga Brezi i Largët Kuiper në kufirin i Sistemit Diellor, në ditën e Krishtlindjeve, 25 Dhjetor 2020, New Horizons e NASA-s fokusoi kameran e saj në drejtim të anijes kozmike Voyager 1, vendndodhja e së cilës është shënuar me rreth të verdhë. Voyager 1, objekti më i largët i krijuar nga dora i njeriut dhe anija e parë kozmike e larguar nga Sistemi Diellor, ndodhet më shumë se 152 njësi astronomike (AU) nga Dielli – rreth 22.9 miliardë km – dhe ishte 18 miliardë km nga New Horizons kur u mor kjo foto.Voyager 1 vetë është rreth 1 trilionë herë më e zbehtë se sa shihet në këtë imazh. Shumica e objekteve këtu janë yje, por disa prej tyre, me pamje të mjegullt, janë galaktika të largëta. New Horizons arriti distancën 50AU më 18 Prill 2021, dhe do t’i bashkohet Voyager 1 dhe 2 në hapësirën ndëryjore në vitet 2040.

Credits: NASA/Johns Hopkins APL/Southwest Research Institute

“Ky është një imazh magjepsës për mua,” thotë Alan Stern, drejtuesi kryesor i New Horizons nga Institi Kërkimor Jugperëndimor në Boulder, Colorado.

 “Duke iu kthyer mbrapsht fluturimit të New Horizons nga Toka deri në 50 AU, gjithçka duket si një ëndërr,” vazhdon ai. “Kalimi i një sonde përmes të gjithë Sistemit tonë Diellor për të eksploruar Plutonin dhe Brezin Kuiper nuk ka qenë arritur kurrë para New Horizons. Shumica prej grupit tonë janë pjesë e misionit qëkur ai ishte thjesht një ide. Gjatë kësaj kohe, fëmijët tanë u rritën, kurse ne dhe prindërit tanë u plakëm. Ndërkohë, ne zbuluam shumë të reja shkencore, frymëzuam karriera të panumërta STEM, dhe madje bëmë një histori të vogël.”

New Horizons ishte projektuar të bënte histori. E nisur me shpejtësi 58,500 km në orë, në 19 Janar 2006,  ajo ishte dhe mbetet akoma objekti më i shpejtë i nisur nga Toka, krijuar nga dora e njeriut. Fluturimi i saj, i ndihmuar nga graviteti i Jupiterit në Shkurt 2007, jo vetëm që shkurtoi me gati tre vjet udhëtimin për te Plutoni, por edhe ia bëri të mundur të kapte foton më të bukur të unazës së mjegulltë të Jupiterit, si dhe të filmonte për herë të parë një vullkan jashtë Tokës.  

New Horizons kreu me sukses eksplorimin e parë në sistemin e Plutonit, në Korrik 2015. Ky ishte fluturimi më i largët në histori, rrotull një planeti, dhe i pari vëzhgim i afërt i një objekti të Brezit Kuiper - me fluturimin pranë Arrokoth në ditën e Vitit të Ri 2019. Nga zona unike e Brezit të Kuiperit ku ndodhet, New Horizons po kryen vëzhgime që nuk mund të realizohen nga akund tjetër; madje edhe yjet duken më ndryshe nga ajo pikë shikimi.

brezi kuiper.png

Duke eksploruar aktualisht Brezin Kuiper përtej Plutonit, New Horizons është një nga pesë anijet kozmike që kanë mundur të arrijnë 50 njësi astronomike – 50 herë distancën Diell -Tokë, në rrugëdaljen e tyre nga Sistemi Diellor, drejt hapësirës ndëryjore.   Credits: NASA/Johns Hopkins APL/Southwest Research Institute

Pjestarët e grupit të New Horizons po përdorin teleskopë gjigantë, si observatori japonez Subaru, për të skanuar qiellin e për të gjetur ndonjë objekt tjetër, ku sonda mund të afrohet për ta studiuar. New Horizons mbetet në formë të mirë dhe vazhdon të mbledhë të dhëna mbi erën diellore, mjedisin hapësinor në Brezin Kuiper, objektet e tjera në këtë brez dhe planetët më të largëta si Urani dhe Neptuni. Kësaj vere, grupi i misionit do të transmetojë një software të përmirësuar, i cili do t’ia rritë kapacitetin shkencor. Bateria bërthamore do t’i sigurojë fuqi të mjaftueshme deri në vitet 2030, për të vijuar me eksplorimet e ardhshme.

​

Marrë nga NASA: https://www.nasa.gov/feature/nasa-s-new-horizons-reaches-a-rare-space-milestone

​

Përktheu: Sara Pushaj; Redaktoi: Mimoza Hafizi; Përshtati me faqen: Edesa Behaj.

bottom of page