top of page

Më 21 Mars, asteroidi 2001 FO32 do të kalojë afër Tokës, pa shkaktuar asnjë rrezik

18 Mars 2021

Objekti ndërplanetar nuk do t’i afrohet Tokës më shumë se 2 milionë kilometra, e megjithatë do të krijojë mundësi të vlefshme shkencore për astronomët.

asteroidi2001.png

Kjo foto tregon pamjen nga pjesa e brendshme e kupolës së Teleskopit Infra të kuq, gjatë një nate vëzhgimi. Teleskopi 3.2 metra në Mauna Kea të Hawai-t do të përdoret për të matur spektrin infra të kuq të asteroidit 2001 FO32. Burimi: UH/IfA

Asteroidi më i madh që parashikohet t’i kalojë anash planetit tonë në vitin 2021, do të vijë në pikën më të afërt më 21 Mars, duke iu siguruar astronomëve një mundësi të rrallë për të marrë pamje nga kjo relike shkëmbore, e formuar në fillimet e Sistemit tonë Diellor.

I quajtur 2001 FO32, asteroidi do t’i afrohet Tokës në një distancë rreth 2 milionë kilometra, ose afërsisht sa 5-fishi i distancës së Tokës nga Hëna. Nuk ka asnjë rrezik për përplasje të tij me planetin tonë, gjatë këtij shekulli ose gjatë shekujve të ardhshëm.

 

“Ne e dimë me saktësi të madhe rrugën orbitale të asteroidit 2001 FO32 rreth Diellit. Qysh prej zbulimit të tij, 20 vite më parë, nuk i jemi ndarë së gjurmuariˮ tha Paul Chodas, drejtori i Qendrës për Studime të Objekteve në afërsi të Tokës (CNEOS), e cila menaxhohet nga Laboratori i Motorit Reaktiv të NASA-s në Kaliforninë Jugore. “Nuk ka asnjë gjasë që asteroidi të afrohet me Tokën më pranë se 2 milionë kilometra.ˮ

Megjithatë, kjo distancë është e afërt në këndvështrimin astronomik dhe për këtë arsye asteroidi 2001 FO32 është përcaktuar si ʺasteroid potencialisht i rrezikshëmʺ. CNEOS llogarit orbita me saktësi të lartë për objektet në afërsi të Tokës (NEOs), në mbështetje të Zyrës së Koordinimit të Mbrojtjes Planetare të NASA-s, duke përdorur teleskopë dhe radarë tokësorë, që ndihmojnë në përshkrimin e saktë të orbitës së çdo NEO-je dhe përmirësojnë vlerësimet afatgjata të rrezikut.

Gjatë këtij afrimi, 2001 FO32 do të kalojë me shpejtësi 124.000 kilometër në orë, më shpejt se ç’kalojnë pranë Tokës shumica e asteroideve. Arsyeja e këtij afrimi kaq të shpejtë të asteroidit është orbita e tij shumë e pjerrët dhe e zgjatur (ose ekscentrike) rreth Diellit, një orbitë që anohet 39 gradë ndaj planit orbital të Tokës. Kjo orbitë, e cila realizohet për 810 ditë, e afron asteroidin me Diellin më pranë se Mërkuri dhe e largon dy herë më tutje se Marsi.

trajektorja.png

Kjo skemë përshkruan orbitën e zgjatur dhe të pjerrët të 2001 FO32, ndërkohë që rrotullohet rreth Diellit (elipsi i bardhë). Për shkak të kësaj orbite, kur asteroidi i afrohet Tokës, ai do të udhëtojë me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, rreth 124.000 km/orë.

Burimi: NASA/JPL-Caltech

Pas vizitës së tij të shkurtër, 2001 FO32 do të vazhdojë udhëtimin e tij, duke mos iu afruar më Tokës deri në vitin 2052, kohë kur ai do të kalojë në rreth 7 distanca hënore ose 2.8 milionë kilometra pranë.

 

Gjeologjia  Astronomike

 

Asteroidi 2001 FO32 u zbulua në mars të vitit 2001, nga kërkimi i programit Lincoln Near-Earth Asteroid në Socorro, New Mexico dhe është vlerësuar, bazuar në matjet optike, të jetë afërsisht një kilometër i gjatë. Sipas vëzhgimeve të fundit, të ndjekura nga NEOWISE në gjatësi vale infra të kuqe, analiza tregon se ai ka gjerësi 440 deri në 680 metra.

Asteroidi 2001 FO32 do të jetë asteroidi më i madh që kalon afër planetit tonë në vitin 2021.

 

Marrë nga NASA: https://www.nasa.gov/feature/jpl/asteroid-2001-fo32-will-safely-pass-by-earth-march-21

 

Përktheu Sara Hidri; Përshtati Mimoza Hafizi; Përshtati me faqen, Edesa Behaj

bottom of page