top of page

Misioni i parë arab arrin orbitën e Marsit.​​

16 Shkurt 2021

Anija kozmike e Emirateve të Bashkuara Arabe “Hope” është gati të bëjë kërkime në atmosferën marsiane

 

Anija kozmike “Hope” ka hyrë në orbitën e Marsit, duke përfunduar pjesën më të rrezikshme të misionit të saj dy-vjeçar. Kjo arritje e bën këtë vend të pestin që mbërrin me sukses Marsin, duke ndjekur agjencitë hapësinore evropiane, indiane, ruse dhe amerikane. “Hope” është pjesë e misionit të parë ndërplanetar të ndërmarrë nga ndonjë shtet arab.

Sonda me vlerë  prej 200 milionë dollarësh amerikanë, e quajtur “Amal” nga arabishtja, u ndërtua në Universitetin e Boulder në Kolorado dhe në qendrën hapësinore Mohammed bin Rashid (MBRSC) në Dubai, nga një ekip inxhinierësh prej të dy institucioneve, me partnerë nga SHBA. Hyrja e saj në orbitën marsiane hap rrugën për misionin shkencor të sondës, e cila do të bëjë vëzhgime të atmosferës së planetit.

marsarab.jpg

Hyrja në orbitën e Marsit ndodhi rreth orës 16:00 të datës 9 shkurt 2021.

Në EBA, monumentet publike dhe vendet e trashëgimisë u ndezën me të kuqe gjatë numërimit mbrapsht të mbërritjes së sondës. Lajmi për mbërritjen e suksesshme të saj u përshëndet me duartrokitje në dhomën e kontrollit të MBRSC.

 

“Ne jemi përgatitur për këtë çast gjatë shtatë viteve të kaluara dhe ishte i mrekullueshëm,”- thotë Fatma Lootah, një anëtare e ekipit shkencor të misionit në MBRSC. "Ne jemi shumë të ngazëllyer për ç’do të vijë më pas."

 

Hyrja në orbitën e Marsit ndodhi rreth orës 16.00 në datën 9 Shkurt, shtatë muaj pas nisjes së Hope nga Japonia, në 20 Korrik 2020. Për 27 minuta, shtytësit e makinës hapësinore ngadalësuan shpejtësinë e saj  nga 121,000 kilometra në orë në rreth 18,000 kilometra në orë, duke djegur rreth gjysmën e sasisë totale të karburantit. Për të hyrë në orbitë pas udhëtimit të saj 494 milion kilometrash, Hope duhej të shënjonte një zonë prej 600 kilometrash.

Omran Sharaf, drejtori i projektit të misionit të Emirateve në MBRSC thotë se ishte "faza më e rrezikshme" e projektit.

 

Inxhinierët nuk mund të kontrollonin misionin e Hope në kohë reale, sepse sinjalet vajtje-ardhje nga planeti i kuq marrin 11 minuta kohë. Në këto kushte, sonda veproi në mënyrë autonome, duke përdorur komandat e ngarkuara katër ditë para futjes në orbitë. Pete Withnell, menaxher i programit për misionin në Universitetin e Kolorados, thotë se “Hope” është krijuar për të pasur "disa nivele inteligjence" për të përballuar surprizat gjatë manovrës.

Skema e motit

 

Sonda tani ndodhet në orbitë eliptike, ndërsa inxhinierët testojnë dhe komandojnë instrumentet e saj, të gatshëm për ta lëvizur drejt “orbitës shkencore”, nga e cila “Hope” do të fillojë misionin e saj në mes të majit. Kjo orbitë e gjerë eliptike është ajo që e bën misionin të veçantë. Ajo do t’u lejojë tri instrumenteve të “Hope”, një imazher me rezolucion të lartë dhe spektrometra infra të kuqe dhe ultravjollcë, të vëzhgojnë çdo rajon gjeografik të Marsit, në çdo kohë të ditës, një herë në nëntë ditë, për të krijuar një skemë globale të motit në Mars. Vëzhgime të tilla nuk janë bërë kurrë më parë në Mars.

 

Pas përpunimit, të dhënat do të jenë në dispozicion të komunitetit shkencor ndërkombëtar pa asnjë pengesë. “Pjesa e parë e të dhënave do të vihet në dispozicion deri në shtator,”- tha Sarah Al Amiri, zëvendës menaxheri dhe drejtuesi shkencor i projektit të misionit, në një konferencë përpara ngjarjes. “Të dhënat do të lejojnë studiuesit të analizojnë atmosferën e planetit, që nga stuhitë e pluhurit në pjesën e poshtme të saj deri në shtresën e saj më të jashtme, ekzosferën, nga e cila hidrogjeni dhe oksigjeni largohen në hapësirë. Të dhënat gjithashtu do të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë se si aktivitetet në rajone të ndryshme atmosferike ndikojnë te njëra-tjetra.”

“Shkencëtarët tashmë janë duke analizuar të dhëna nga eksperimentet e paplanifikuara, të shansit, gjatë udhëtimit të “Hope”,”- thotë Al Amiri. Kështu, Hope ‘pa’ përmes Sistemit Diellor anijen kozmike BepiColombo, të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, e cila po udhëtonte për në Mërkur. Duke ’parë’ njëra-tjetrën përmes të njëjtës zonë të hapësirës, të dyjat sondat kanë diktuar të njëjtat nivele hidrogjeni. Kjo i lejon ekipet të kalibrojnë instrumentet e tyre dhe të kenë rezultate për shpërndarjen e hidrogjenit në Sistemin Diellor.

Ngjitja e shpejtë

 

Rritja e EBA si një fuqi hapësinore ka qenë e shpejtë. Projekti i parë hapësinor i vendit ishte vetëm 15 vjet më parë, kur filloi punën me Satrec Initiative, kompani me qendër në Daejeon, Kore të Jugut, për të ndërtuar një satelit vëzhgues të Tokës. Vitin e kaluar, ajo shprehu interesin për të dërguar një rover në Hënë, në 2024. Ndryshe nga misioni i Emirateve në Mars, i cili përfshinte qindra inxhinierë nga ky vend, por që është projektuar dhe ndërtuar kryesisht në Shtetet e Bashkuara, roveri synon të zhvillohet vetëm në EBA.

 

Hope u nis nga Qendra Hapësinore Tanegashima afër Minamitane të Japonisë. Ishte një nga tre sondat e destinuara për Marsin, që u nisën korrikun e kaluar, bashkë me “Tianwen-1” të Kinës dhe “Perseverance” të NASA-s.

hope_edited_edited_edited.png

Përktheu: Kristina Hysi; Redaktoi: Rikardo Verri ; Përshtati: Mimoza Hafizi ; Përshtati me faqen: Edesa Behaj

Marrë nga revista Nature: https://www.nature.com/articles/d41586-021-00347-x

bottom of page