top of page

Makina eksploruese “Perseverance” 8 ditë larg zbarkimit në Mars.

10 Shkurt 2021

Shtatë minutat e një zbarkimi drithërues në Planetin e Kuq tashmë janë një realitet jo i largët për misionin “Mars 2020” të agjencisë NASA. 

Misioni i makinës eksploruese (roverit) “Perseverance” të “Mars 2020”-ës nga NASA është 8 ditë larg nga ulja në Planetin e Kuq. Anija kozmike ka për të përshkuar edhe rreth 41.2 milionë kilometra dhe po e përmbyll distancën totale të udhëtimit prej plot 470.8 milionë kilometrash me një shpejtësi 2.5 km/s. Pasi të futet në atmosferën e Planetit të Kuq pritet një shtatë minutësh ulje plot sfidë, në temperaturë të njëjtë me atë Diellit, pajisur me dinamikën e parashutave supersonike dhe me guidën e parë autonome të uljes në Mars.

Vetëm atëherë është e mundur që “Perseverance”, roboti gjeolog më i madh, më i rëndë, më i pastër dhe më i ndërlikuar me gjashtë rrota, të kërkojë në kraterin Jezero për shenja të jetës së mëparshme që të kthehen më pas në Tokë.

perseverance.jpg

Ky ilustrim rrjedhën e ngjarjeve përgjatë 7 muajve udhëtim. Hapat duhet të kryheshin në mënyrë perfekte dhe në kohën e duhur deri në mbërritjen e roverit në Mars më 18 shkurt 2021.
Nga: NASA/JPL-Caltech

“NASA është duke eksploruar Marsin që kur Mariner 4 fluturoi pranë planetit ne korrik të 1965-ës, ndjekur më pas me dy të atilla dhe tetë ulje që atëherë,”- thotë Thomas Zurbuchen, bashkëadministrues për Drejtorinë e Misioneve Hapësinore pranë NASA-s në Uashington. “Perseverance, i cili është ndërtuar nga ide dhe përfundime të mbledhura nga këto eksperienca, ka mundësinë që jo vetëm të zgjerojë njohuritë tona rreth Planetit të Kuq, por edhe të japë ndihmë në shqyrtimin e pyetjeve shumë të rëndësishme dhe emocionuese që kanë të bëjnë me origjinën e njerëzimit dhe jetës, si në Tokë e si në planetet e tjera.

Krateri Jezero është vendi perfekt për kërkimin e jetës mikrobiologjike. Miliarda vite më parë baseni 45 km i gjerë, tashmë i tharë tërësisht, ishte qendra e një delte aktive lumëkrijuese e një liqeni të mbushur me ujë. Gurët dhe regolitet (shkëmbinj të shkrumbëzuar dhe pluhur) që Sistemi i Magazinimit të Mostrave të Perseverance do të mbledhë, mund të ndihmojnë në përgjigjjen e pyetjeve themelore për ekzistencën e jetës përtej Tokës. Dy misionet e ardhshme në zhvillim nga NASA dhe ESA (Agjencia Evropiane Hapësinore) do të kthejnë mostra në Tokë, ku do t’u bëhen analiza të imtësishme nga shkencëtarë nga e gjithë bota, duke përdorur pajisje tepër të mëdha dhe komplekse për t’u dërguar në Planetin e Kuq.

“Instrumentet shkencore të ndërlikuara të “Perseverance” nuk do të ndihmojnë vetëm në kërkimin e jetës së fosilizuar mikrobike, por edhe për të zgjeruar dijet tona rreth gjeologjisë marsiane e për të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e saj,”- thotë Ken Farley, shkencëtar i projektit “Mars 2020” nga Caltech në Pasadena të Kalifornisë. “Grupi ynë shkencor ka qenë i angazhuar për t’u përgatitur me një përballje me çfarë parashikojmë të jenë të dhëna mjaft të rëndësishme.”

Provimi i teknologjisë së të ardhmes

Ndërkohë që shumica e shtatë instrumenteve të “Perseverance” janë të përshtatura të mësojnë më shumë rreth gjeologjisë dhe astrobiologjisë planetare, misioni gjithashtu mbart teknologji për eksplorimin e mëtejshëm të Marsit.

MOXIE (Stimulimi i Shfrytëzimit të Oksigjenit në Mars), një pajisje me madhësinë e baterisë së makinë në shasinë e roverit, është ndërtuar për të treguar se kthimi i dioksidit të karbonit marsian në oksigjen është i mundur. Zbatimet e ardhshme të teknologjisë që mund të prodhojnë sasi të mëdha të oksigjenit të cilat mund të përdoren si pjesë përbërëse të karburantit të anijeve kozmike për të rikthyer astronautët në Tokë e gjithashtu, për t’u përdorur për frymëmarrje.

rover.jpg

Sistemi i Navigimit të Territorit ndihmon roverin të shmangë rreziqet. Sensori MEDLI2 (Instrumentimi i Hyrjes, Zbritjes dhe Zbarkimit në Mars) grumbullon të dhëna përgjatë udhëtimit në atmosferën marsiane. Së bashku, sistemet do të ndihmojnë inxhinierët në zhvillimin e misioneve të ardhshme për të zbarkuar më lehtë me ngarkesa më të mëdha në planete të ndryshme.

Një tjetër përdorim i teknologjisë, helikopteri marsian “Ingenuity”, është i lidhur me pjesën e poshtme të roverit. Mes ditës së 30-të dhe të 90-të nga zbarkimi, helikopteri do të provojë testimin e parë të fluturimit në një planet tjetër. Nëse ai do të jetë i suksesshëm, atëherë helikopteri do të fluturojë deri në katër herë. Të dhënat e mbledhura përgjatë këtyre testimeve do të ndihmojnë gjeneratat e ardhshme të helikopterëve për sigurimin e dimensioneve ajrore të Marsit.

Përgatitjet për Planetin e Kuq

Si shumë njerëz nëpër botë, pjesëtarët e grupit të “Mars 2020” duhet të bënin shumë modifikime në qasjen ndaj punës së tyre gjatë pandemisë COVID-19. Ndërkohë që pjesa më e madhe e grupit ka prezantuar punët përkatëse që nga shtëpia, disa detyra kërkonin praninë në Laboratorin e Forcës Shtytëse (JPL) të NASA, i cili ka ndërtuar roverin dhe po menaxhon misionin. I tillë ishte rasti i para dy javëve kur grupi që do të jetë pas panelit të komandës gjatë uljes ndërmori një simulim të gjatë tri ditë.

“Mos lejoni ndokënd të thotë ndryshe: ulja në Mars është mjaft e vështirë,”- thotë John McNamee, menaxher i projektit Mars 2020 te JPL. “Megjithatë gratë dhe burrat në këtë skuadër janë më të mirët në botë për atë çfarë bëjnë. Kur anija jonë kozmike do të futet në atmosferë me shpejtësi 5.6 km/s, ne do të jemi gati.”

Pothuajse një javë udhëtim përmes hapësirës na ndan nga zbarkimi. Televizioni NASA do të transmetojë drejtpërdrejt ngjarjen nga JPL, duke filluar nga ora 20:15 në vendin tonë.

 

Më tepër rreth misionit

Një objektiv kyç i misionit të Perseverance në Mars është astrobiologjia, përfshirë këtu kërkimin për jetën e kaluar mikrobike. Roveri do të tipizojë gjeologjinë dhe klimën e të shkuarës, do të hapë shtegun për eksplorimin njerëzor të Planetit të Kuq si dhe do të jetë misioni i parë që do të mbledhë shkëmbinj e gurë marsianë.

Misionet pasrendëse, aktualisht në shqyrtim nga NASA dhe ESA, do të dërgojnë në Mars anije kozmike për të grumbulluar mostra të ndryshme dhe për t’i kthyer në Tokë për analiza më të thella.

Misioni “Mars 2020” është pjesë e një programi më të madh që përfshin misione për në Hënë si një mënyrë përgatitore për eksplorimin njerëzor të Planetit të Kuq. Duke filluar nga kthimi i astronautëve në Hënë deri në 2024, NASA do të vendosë prani njerëzore të vazhdueshme në dhe pranë satelitit tonë deri në 2028 përmes planeve të eksplorimit hënor Artemis.

JPL, që menaxhohet për NASA-n nga Caltech në Pasadena të Kalifornisë, ndërtoi dhe menaxhon funksionimin e roverit Perseverance.

Përktheu: Rikardo Verri, Përshtati me faqen: Edesa Behaj

Marrë nga: https://www.nasa.gov/feature/jpl/nasa-s-perseverance-rover-22-days-from-mars-landing

bottom of page