top of page

Kometa e parë ndëryjore mund të jetë më origjinalja e gjetur ndonjëherë

11 Prill 2021

borisov.jpg

Vëzhgimet e reja me ESO VLT (Teleskopi Shumë i Madh i Observatorit Jugor të Europës), tregojnë se kometa ndëryjore 2I/Borisov, vizitori ynë i dytë nga jashtë Sistemit Diellor, është një nga më origjinalet e vrojtuara ndonjëherë. Astronomët mendojnë se ka gjasa që kjo kometë të mos ketë kaluar ndojëherë pranë një ylli, dhe si e tillë ajo të jetë një relike e resë së gazit dhe pluhurave, prej ku është formuar.

2I/Borisov u zbulua nga astronomi amator Gennady Borisov, në gusht 2019, dhe pak javë më pas u konfirmua se vjen nga jashtë Sistemit Diellor. “2I/Borisov mund të jetë vërtet kometa më origjinale e vrojtuar ndonjëherë” thotë Stephano Bagnulo nga Observatori dhe Planetariumi Armagh, Irlanda e Veriut, që udhëhoqi këtë studim. Grupi beson se kometa nuk ka kaluar kurrë më parë pranë ndonjë ylli, para se t’i afrohej Diellit në vitin 2019.

Bagnulo dhe kolegët e tij përdorën paisjen FORS2 në ESO VLT, për të studiuar kometën 2I/Borisov më në detaje, duke përdorur një teknikë që quhet polarimetri. Meqë e njëjta teknikë është përdorur për të studiuar edhe kometat e trupat e tjerë të vegjël të Sistemit tonë Diellor, kjo ia bëri të mundur grupit ta krahasonte këtë vizitor ndëryjor me  kometat lokale. Grupi zbuloi se 2I/Borisov ka veti polarimetrike të dallueshme nga  kometat e Sistemit Diellor, me përjashtim të kometës Hale-Bop.

Kometa Hale-Bop zgjoi një interes të madh publik, në fundin e viteve 90, jo vetëm se shihej qartë me sy të lirë, por edhe se ishte njëra nga kometat më origjinale që astronomët kishin vrojtuar ndonjëherë. Përpara këtij kalimi, kometa Hale-Bop mendohet të ketë kaluar edhe një herë të vetme pranë Diellit, duke u prekur fare pak nga era dhe rrezatimi diellor. Kjo pra do të thotë për një kometë që të jetë origjinale, d.m.th. të ketë përbërje shumë të ngjashme me atë të resë së gazit dhe pluhurave ku ajo është formuar.

Analizat tregojnë që 2I/Borisov është edhe më origjinale se Hale-Bop.

“Fakti që të dyja kometat janë shumë të ngjashme të çon në përfundimin se mjedisi në të cilin 2I/Borisov u krijua nuk ka shumë ndryshim në përbërje nga mjedisi i hershëm i Sistemit Diellor,” thotë Alberto Cellino, nga Observatori Astrofizik i Torinos, INAF, Itali, bashkautor i studimit.

“Mbërritja e 2I/Borisov nga hapësira ndëryjore paraqet për herë të parë një mundësi për të studiuar përbërjen e një komete nga një system tjetër planetar dhe për të kontrolluar nëse materiali që vjen nga kjo kometë ka ndonjëfarë ndryshimi prej atij të zonës sonë,” thotë Ludmilla Kolokolova, nga Universiteti i Maryland, në SHBA.

Bagnulo shpreson se deri në fund të kësaj dekade astronomët do të kenë edhe ndonjë mundësi tjetër, mbase edhe më të mirë, për të vrojtuar një kometë ndëryjore. “ESA po planifikon të hedhë Comet Interceptor në 2029, i cili do të ketë kapacitete për të kapur vizitorët ndëryjorë”, thotë ai, duke u referuar një misioni të ardhshëm nga Agjensia Europiane e Hapësirës, ESA.

 

Historia e origjinës, e fshehur pas pluhurash

 

Edhe pa misione hapësinore, astronomët mund të shqyrtojnë vetitë e kometave të tilla përmes teleskopëve tokësorë. “Imagjinoni sa me fat jemi ne, që një kometë nga një sistem tjetër vite-dritë larg ndërmerr një udhëtim që rastësisht kalon nga ne” thotë Bin Yang, një astronom i ESO-s, në Kili .

Yang dhe grupi i saj përdorën të dhënat nga Atacama Large Millimeter/Submillimeter Array (ALMA), në të cilin ESO është partnere, për të studiuar grimcat e pluhurit të 2I/Borisov e për të gjetur të dhëna rreth krijimit të kometës dhe kushteve në sistemin e vet.

Ata zbuluan që mbështellja prej pluhuri që rrethon trupin e 2I/Borisov përmban kokrriza kompakte, rreth një milimetër të mëdha, ose pak më shumë. Ata gjetën gjithashtu që sasitë relative të monoksidit të karbonit dhe ujit ndryshuan në mënyrë drastike kur ajo iu afrua Diellit. Grupi thotë se ky është tregues që kometa përbëhet nga materiale të formuara në vende të ndryshme në sistemin e saj planetar. Ideja e tyre është se kjo përzierje mes materialesh të formuara pranë yllit dhe larg tij mund të jetë shkaktuar nga planetet gjigande, gravitacioni i fortë i të cilave e qarkullon më shpejt lëndën. Astronomët besojnë se një proces i ngjashëm ka ndodhur në fillimet e Sistemit tonë Diellor.

Vizitori i parë ndëryjor i vrojtuar është Oumuamua, i studiuar gjithashtu nga VLT e ESO-s, në vitin 2017. Oumuamua bën pjesë në kategorinë e asteroideve.

 

Marrë nga ESO, https://www.eso.org/public/news/eso2106/?lang

Përktheu Sara Pushaj; Redaktoi Mimoza Hafizi; Përshtati me faqen Edesa Behaj.

bottom of page