top of page

Asteroidët e rrezikshëm

29 Mars 2021

Asteroidët janë shkëmbinj hapësinorë antikë, të mbetur që nga formimi i Sistemit Diellor, që mendohet se kanë sjellë në Tokë molekula komplekse apo edhe jetën e hershme, miliarda vite më parë.

 

Asteroidi Chicxulub është guri hapësinor më i famshëm në botë. Edhe pse mund të mos ia keni dëgjuar emrin, përplasja e tij para 66 milionë viteve është legjendare, pasi shkaktoi zhdukje masive të dinosaurëve jo-fluturues e specieve të tjera.

 

Përplasjet me asteroidë kaq të mëdhenj janë jashtëzakonisht të rralla, por shkëmbinjtë e vegjël apo të mesëm janë shumë më të zakonshëm e gjithsesi mund të shkaktojnë dëme të mëdha.

 

Këta asteroidë ndonjëherë arrijnë deri në tokë, por edhe ata që shpërbëhen në atmosferën e planetit (si ai që shkaktoi eventin e Chelyabinsk në 2013) mund të shkaktojnë shpërthime të forta ajri me valë shkatërruese për xhamat, ndërtesat apo edhe dëmtuese për këdo që është afër.

 

Termi “objekt pranë Tokës” (NEO – near-Earth object) përgjithësisht i referohet çdo objekti natyror, si një asteroid, orbita e të cilit e sjell pranë Tokës. Duke iu referuar të dhënave të marsit 2019, ne njohim më se 600 mijë asteroidë në Sistemin Diellor. Nga këto, rreth 20 mijë janë pranë Tokës, ku 800 bëjnë pjesë në listën e rrezikut të ESA-s, pra që duhet të vrojtohen nga afër.

 

Zyra e Mbrojtjes Planetare

 

Zyra e Mbrojtjes Planetare të ESA-s është një element thelbësor për sigurinë e aktiviteteve hapësinore të agjencisë. Qëllimet e Zyrës janë:

  • Informimi mbi pozicionet e tashme dhe të ardhme të objekteve pranë Tokës

  • Përllogaritja e mundësive për përplasje

  • Vlerësimi i pasojave të çdo përplasjeje të mundshme

  • Informimi i palëve përkatëse, psh. Agjencive të emergjencave kombëtare civile

  • Zhvillimi i metodave për devijimin e çdo lloj asteroidi

Zyra e Mbrojtjes Planetare zhvillon vëzhgime të rregullta për gurët e rrezikshëm hapësinorë, parashikon orbitat e tyre, jep paralajmërimet e duhura dhe gjithashtu përfshihet në ndërmarrjen e masave të mundshme. Zyra i ndan punët në tri fusha:

  1. Vëzhgimi

  2. Paraqitja e të dhënave

  3. Devijimi

1. Vëzhgimi

Në mënyrë që të informohemi për pozicionet e tashme dhe të ardhme të objekteve qiellore, na duhet të mbajmë sytë drejt qiellit për të shqyrtuar çdo gur të rrezikshëm hapësinor.

Teleskopi Flyeye:

foto1.jpg

Çdo natë, rrjeti i teleskopëve Flyeye të ESA-s do ta skanojë qiellin për të qëmtuar shkëmbinjtë fluturues, duke shënuar automatikisht ata që janë të rrezikshëm, për t’ua sjellë në vëmendje shkencëtarëve.

 

Ashtu siç funksionojnë sytë e mizave, këta teleskopë e ndajnë imazhin në 16 nënndarje më të vogla, duke zgjeruar fushën e pamjes, pra duke rritur sipërfaqen qiellore të vëzhguar.

 

Duke vendosur një të tillë në hemisferën veriore dhe një tjetër në atë jugore, i gjithë qielli skanohet brenda 48 orëve. Testet e përngjasimeve kanë treguar se rreth katër asteroidë me diametër më të madh se 1 metër mund të zbulohen çdo vit, para se të përplasen me Tokën.

 

Teleskopët Test-Bed

Dy teleskopë “Test-Bed” 56cm (TBT) do të përdoren kryesisht për të analizuar të dhënat që procesohen dhe zhvillohen nga teleskopët Flyeye. Një teleskop aktualisht po ndërtohet në Madrid, ndërsa një tjetër po transportohet për në La Silla të Kilit, për t’u instaluar në zonat e organizatës partnere të ESA-s, Observatorin Jugor Evropian.

 

Stacioni Tokësor Optik

Stacioni Tokësor Optik i ESA-s në Tenerife është i pajisur me një teleskop me diametër 1 m dhe është objekti kryesor i ESA-s për vëzhgimin e asteroidëve. Normalisht përdoret për afro katër netë gjatë një Hëne të re.

 

Mundësimi i vëzhgimeve të Evropës

ESA gjithashtu sponsorizon edhe teleskopë të tjerë kombëtarë në Evropë, si observatori Klet në Çeki apo teleskopë në Tautenburg, Gjermani dhe Spanjë. Agjencia gjithashtu punon përkrah teleskopit 0.8m Joan Oró në malet Pireneje në Spanjë, me observatorin 0.6m Observatoire des Makes, në Shën Luis të Réunion Island, si dhe me Rrjetin Optik Shkencor Ndërkombëtar.

 

2. Paraqitja e të dhënave

 

Të dhënat rreth NEO (Objektet Pranë Tokës) mblidhen nga teleskopë dhe sisteme radarësh në të gjithë botën. Ky thesar informacionesh më pas i jepet Qendrës Minore Planetare, operuar me ndihmën e Bashkimit Astronomik Ndërkombëtar (IAU) në Kembrixh, MA, ShBA, që shërben si qendër për vëzhgimin e asteroidëve dhe kometave.

 

Matjet e bëra grumbullohen nga Qendra e Koordinimit të NEO, qëllimi i të cilës është koordinimi i vëzhgimeve të trupave të vegjël qiellorë në Sistemin Diellor, si asteroidët, kometat apo edhe planetët xhuxhë, si dhe vlerësimi i rrezikut ndaj tyre.

 

Me bazë tek ESRIN në Itali, NEOCC është qendra e një rrjeti informacioni të tërë me të dhëna të marra nga ofrues të ndryshëm evropianë. Çdo ditë, qendra e koordinimit përdor këto informacione dhe jep të dhëna rreth vendndodhjes e orbitës, monitoron dhe parashikon lëvizjen e objekteve, si dhe analizon rreziqet e mundshme.

 

3. Kundërveprimi

 

Nëse asteroidi duket të jetë i rrezikshëm, agjencitë e emergjencave përreth globit informohen rreth tij dhe këshillohen nga NEOCC dhe organizata të tjera.

 

Kamera fireball

Një kamera “fireball” në hapësirë po zhvillohet nga ESA, bashkë me vegla për të simuluar goditjet, efektet e tyre në Tokë dhe teknikat e devijimit.

Misioni Hera

foto2.jpg

Misioni “Hera” i planifikuar nga ESA, emëruar nga perëndesha greke e martesës, do të jetë sonda e parë që do të takohet me një sistem të dyfishtë asteroidesh, një klasë pak e kuptuar, që përbën afërsisht 15% të asteroidëve të njohur.

Hera është kontributi evropian në misionin ndërkombëtar AIDA, i cili përbëhet nga dy anije kozmike. Fillimisht anija e parë DART, e NASA-s, do të përplaset me trupin më të vogël të sistemit të dy asteroideve, të quajtur “Didymoon”, për të ndryshuar pak orbitën e tij rrotull asteroidit kryesor “Didymos”. Më pas, Hera do të ndjekë e shqyrtojë me detaje efektet, për ta kthyer këtë eksperiment të përmasave të mëdha në një teknikë mbrojtjeje planetare të qartë dhe të përsëritshme.

 

Në këtë mënyrë, Hera do të grumbullojë të dhëna kritike shkencore, të cilat do të ndihmojnë shkencëtarët dhe misionet e ardhshme për të mësuar më shumë rreth përbërjes, strukturës dhe sjelljes së asteroideve, në përgjigje të një impakti të tillë kinetik.

 

Siguria hapësinore në ESA

 

Të jetuarit pranë një ylli aktiv, në një Sistem Diellor të mbushur me gurë antikë dhe të shpejtë, në një planet që gjithnjë po mbushet më mbetje satelitesh, e bën mjaft të mundshme që diçka të shkojë keq.

 

Programi i Sigurisë Hapësinore të ESA-s po punon që të zbusë e të parandalojë përplasjet nga hapësira, për të ruajtur Planetin Blu, banorët e tij, si dhe infrastrukturën jetësorë, nga e cila jemi kaq të varur.

BURIMI: https://www.esa.int/Safety_Security/Risky_asteroids

 

Përktheu Rikardo Verri; Përshtati me faqen Edesa Behaj

bottom of page