Asnjë gjurmë nga planeti i nëntë
25 Shkurt 2021
Planet i nëntë vdiq! Rroftë planeti i nëntë!
Për vite të tëra shkencëtarët kanë debatuar nëse ekziston apo jo një planet, të paktën pesë herë më i madh se Toka, në skajet e jashtme të Sistemit Diellor. Është quajtur Planeti Nëntë.
Ilustrim i planetit të nëntë hipotetik. Burimi: Shutterstock
Ekzistenca e Planetit Nëntë është propozuar në vitin 2016, kur astronomët Mike Brown dhe Konstantin Batygin në Caltech, Pasadena, vunë re se orbitat e gjashtë objekteve pas-neptuniane (TNO, Trans-Neptunian Objects), pjesë të brezit Kuiper, dukeshin se formonin një grupim të përbashkët. Ky grupim, thanë ata, duhet të ndodhë nën ndikimin gravitacional të një planeti të madh, të fshehur diku në pjesët e jashtme të Sistemit Diellor, së paku 400 herë më larg nga Dielli sesa Toka, ose 10 herë më larg se TNO-ja më e famshme, planeti xhuxh Pluton. Nëse provohet, gjetja e këtij planeti gjigand përtej Neptunit do të ishte një zbulim madhor.
Por, jo të gjithë astronomët u bindën nga ky përfundim. Disa vrojtime të tjera hodhën dyshime nëse TNO-të ishin vërtet të grupuara, apo ngjanin të tilla, kur vrojtoheshin sipas disa drejtimeve të caktuara. Një skuadër e udhëhequr nga Kevin Napier, fizikan në Universitetin e Michigan në Ann Arbor, i shtyu më tutje kërkimet. Duke kombinuar tri vrojtime të ndryshme të orbitave të 14 TNO-ve Ekstreme (ETNO-Extreme Trans-Neptunian Objects, pra që sillen shumë larg Neptunit)— kërkuesit gjetën që këto orbita mund të shpjegohen pa praninë e ndonjë planeti aty rrotull. Të dhënat tregonin se ETNO-t -janë të shpërndara njëtrajtësisht në qiell.
Samantha Lawler, astronome në Universitetin Regina të Kanadasë, bie dakord me këtë konkluzion të skuadrës Napier, duke dhënë argumentat e veta se për të shpjeguar orbitat e TNO-ve nuk ka nevojë për hipotezën e Planetit Nëntë. “Nuk po them se Planeti Nëntë vdiq, por mund të them se ne nuk kemi asnjë fakt për ekzistencën e tij”. PRa, gjetjet e fundit nuk e përjashtojnë mundësinë e një planeti të nëntë rrotull Diellit, por astronomët kanë nevojë për më shumë të dhëna, që ky debat të qetësohet. Vrojtimet e reja në zonën e jashtme të Sistemit Diellor mund të sqaronin nëse TNO-të formojnë grupime apo jo. Një nga shanset më të mira do të krijohet me Observatorin Vera C. Rubin në Kili, i cili do të fillojë vrojtimet në 2022.
“Do të shquhen me mijra objekte të tjera të brezit Kuiper,” thotë Lawler. “Me të dhënat që kemi deri tani, ne kemi bërë maksimumin.”
Edhe nëse gjendet se Planeti Nëntë nuk ekziston, thotë Lawler, gjithsesi ai arriti të tërheqë interesin e astronomëve për shtresat e jashtme të Sistemit Diellor. Teoria e Planetit Nëntë ka qenë fantastike për studimin e brezit Kuiper.
Përktheu dhe përshtati: Mimoza Hafizi ; përshtati me faqen: Edesa Behaj.
Marrë nga revista Nature: https://www.nature.com/articles/d41586-021-00456-7?utm_source=Nature+Briefing&utm_campaign=72250739fb-briefing-dy-20210222&utm_medium=email&utm_term=0_c9dfd39373-72250739fb-45761594