Roveri i Nasa-s në Mars nis të prodhojë oksigjen
MOXIE ka madhësinë e një tosteri
Një pajisje në roverin Perseverance të Nasa-s ka prodhuar oksigjen nga dyoksidi i karbonit që ndodhet në atmosferën e planetit Mars. Kjo është ngjarja e dytë e suksesshme e misionit, pas fluturimit të minihelikopterit, pak ditë më parë.
Prodhimi i oksigjenit u krye nga një paisje e lidhur me roverin, me emrin Moxie (Mars Oxygen In-Situ Resource Utilization Experiment - Eksperimenti i Përdorimit të Burimeve të Oksigjenit në Mars). Ajo ka madhësinë e një tosteri. Moxie prodhoi 5 gram gaz – ekuivalente me sasinë që i duhet një astronauti për të marrë frymë në Mars në afro10 minuta.
Nasa mendon që misionet e ardhshme me njerëz në Planetin e Kuq të kenë me vete versione më të mëdha të Moxie-t, në vend që të marrin nga Toka të gjithë oksigjenin e duhur për ekipin.
Oksigjeni (O₂) bën pjesë edhe në proceset kimike që shtyjnë përpara një raketë. Kjo shtytje arrihet përmes djegies së karburantit në prani të një oksiduesi, që mund të jetë edhe thjesht oksigjen.
Atmosfera e Marsit dominohet nga dyoksidi i karbonit (CO₂) në një përqëndrim deri në 96%. Sasia e oksigjenit është vetëm 0.13%, shumë e vogël krahasuar me 21% që mban atmosfera e Tokës.
Moxie është në gjendje ta shkëpusë atomin e oksigjenit nga molekula e CO₂, e cila përbëhet nga një atom karboni dhe 2 atome oksigjeni. Mbetja e procesit është monoksidi i karbonit, i cili hidhet në atmosferën Marsiane.
Grupi i Nasa-s që merret me MOXIE-n po e orienton pajisjen të funksionojë në mënyra të ndryshme, për të kuptuar se si po ecën ky proces.
Pritshmëria është që mund të prodhohen deri në 10 gram O₂ në orë.
“Moxie është jo vetëm instrumenti i parë që prodhon oksigjen në një planet tjetër, por edhe e para teknologji e këtij lloji që mbështet misionet e ardhshme ‘jeto jashtë tokës’, duke përdorur elementët e mjedisit të një planeti tjetër, njohur ndryshe si përdorim i burimeve në vendqëndrim” thotë Trudy Kortes, drejtues i demostrimit teknologjik brenda Drejtorisë së Misionit të Teknologjisë Hapsinore të Nasa-s.
"Moxie merr regolith, një substancë që gjendet në terren, e kalon në një proces trajtimi, duke e kthyer në një strukturë e cila kap dyoksidin e karbonit të atmosferës dhe e kthen në oksigjen. Ky proces na lejon që materialet e ndodhura me shumicë në Mars t’i kthejmë në gjëra të vlefshme: karburant, ajër për frymëmarrjen, ose, po t’a kombinojmë me hidrogjen, të kemi edhe ujë.”
Marrë nga: https://www.bbc.com/news/science-environment-56844601
Përktheu Sara Pushaj; përshtati Mimoza Hafizi; përshtati me faqen Edesa Behaj.