top of page

Preçesioni i perihelit të Mërkurit dhe Relativiteti i Përgjithshëm

Më 1840, astronomi francez Urban Le Verrier analizoi me imtësi orbitën e Mërkurit. Ai gjeti që në vend të një elipsi të saktë, siç kishin parashikuar ligjet e Newton-it, periheli- pika më e afërt me Diellin- i orbitës eliptike të planetit lëviz, preçeson rreth Diellit. Ndryshimi është shumë i ngadaltë, vetëm 575 sekonda-harku për shekull, por astronomët në atë kohë mund të llogarisnin se 532 sekonda vijnë nga bashkëveprimi me planetët e tjerë në sistemin diellor, duke lënë pa shpjeguar 43 sekondat mbetëse. Diferenca, sado e vogël, i ngacmonte astronomët. Ata propozuan një seri zgjidhjesh : një planet i padukshëm, një ndryshim shumë i vogël te fuqia e 2-të në ligjin e gravitacionit të Newtonit, një Diell i  shtypur në pole – por gjithçka dukej e sforcuar. Më 1915, ndërsa po përfundonte teorinë e tij të relativitetit të përgjithshëm, fizikani teorik gjerman Albert Einstein mundi të llogarisë ndikimin e hapësirës së lakuar në orbitën e Mërkurit.

Për Mërkurin, kjo jep pikërisht rezultatin 43 sekonda për shekull, saktësisht vlerën që mungonte. “Mund të imagjinoni kënaqësinë time,” i shkruan Einstein Paul Ehrenfest-it atë vit, “me rezultatin që ekuacionet e lëvizjes së perihelit të Mërkurit janë të sakta? Isha pa fjalë për disa ditë nga entuziazmi.”

Apsidendrehung.png
bottom of page