Ligjet e Njutonit
Fizikani Britanik dhe matematikani Isaac Newton ishte ithtar i parashikimeve përmes llogaritjeve matematike. Duke krijuar “flukset” më 1665 – ato që ne sot i quajmë llogaritje infinitezimale (Gottfried Wilhelm Leibniz i gjeti në mënyrë krejt të pavarur në të njëjtën kohë) – ai bëri të mundur të parashikohej lëvizja e trupave në hapësirë dhe në kohë.
Newton u mbështet në idetë e Galileo Galileit për forcën dhe nxitimin, në idetë e Johannes Kepler dhe në tre ligjet e tij të lëvizjes së planeteve, si dhe në forcën radiale që ushtrohet mbi një planet, të arsyetuar nga Robert Hooke në formën e një ligji gravitacional invers proporcional me distancën nga Dielli. Newton i bashkoi të gjitha këto ide, shtoi idetë e tija dhe ndërtoi kështu tre ligjet e lëvizjes dhe ligjin e tij universal të gravitetit.
Këto katër ligje vunë rregull në studimin e universit fizik dhe, po aq e rëndësishme, mbi mjetet matematikore për ta modeluar atë. Në praktikë, Newton, qe në gjendje të nxirrte me matematikë të pastër tre ligjet e Keplerit – që tregonin se planetët lëvizin në orbita eliptike e jo në orbita rrethore-, e njëkohësisht i përdori ato si bazë për supozime të tjera. Për herë të parë formulat matematike arritën të japin drejtpërdrejt, madje të parashikonin, lëvizjen e trupave qiellorë, baticat, ekuinokset etj., duke treguar se fenomenet tokësore dhe qiellore u binden të njëjtave ligje të fizikës.