top of page

Kina ul roverin e saj të parë në Mars. Çfarë do të ndodhë më pas?

29 Maj, 2021

zhurong.png

Ulja e Zhurong ishte testi më i madh për aftësitë eksploruese hapësinore të Kinës. Brenda pak ditësh, ky rover do të nisë zbulimet gjeologjike.

 

Sonda kineze Tianwen-1, e cila ndodhet në orbitë rrotull planetit të kuq, ka lëshuar në sipërfaqen e tij roverin me emrin Zhurong - emri i perëndisë kineze të zjarrit - duke përmbyllur fazën më të rrezikshme të misionit të saj 10-mujor.

Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, kapsula që mbante brenda roverin u shkëput nga orbituesi rreth orës 4 të mëngjesit, sipas orës së Pekinit, me 15 maj. Pas disa orësh, ajo hyri në atmosferën e Marsit, në lartësi 125 kilometrash dhe u nis drejt sipërfaqes me shpejtësi 4.8 km/s, e mbrojtur nga temperaturat e larta të fërkimit prej një mbështjellëseje speciale. Kur iu afrua sipërfaqes, u hap një parashutë që ngadalësoi rënien dhe më pas u përdorën shtytës gazi, për ta frenuar krejtësisht. Në një lartësi 100 m mbi sipërfaqe, kapsula arriti të qëndrojë pezull dhe një sistem orientimi me lazer u përdor për të zgjedhur një vend uljeje të përshtatshëm e pa pengesa.

 

Hap i madh për Kinën

Ky ishte misioni i parë i Kinës në Mars, i cili e bën atë vendin e tretë - pas Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara - që ka kryer ulje në këtë planet.

Zhurong i bashkohet disa misioneve të tjera ende aktive në Mars. Roveri Perseverance i NASA-s, që mbërriti me 18 shkurt, ndodhet disa qindra kilometra larg prej tij, dhe roveri Curiosity i NASA-s po vazhdon gërmimet e veta prej vitit 2012. Disa anije gjithashtu janë duke iu sjellë rrotull Marsit, përfshirë edhe orbituesin Hope, të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili arriti po ashtu në muajin shkurt.

Studiuesit thonë se sfida inxhinierike për të arritur në sipërfaqe ka patur përparësi ndaj objektivave shkencore të misionit kinez, i cili synon për të reja gjeologjike. Ky mision është veçanërisht i interesuar për shtresat permafrost - në gjendje ngrirjeje të përhershme - në Planitia Utopia, zona në hemisferën veriore të Marsit, ku ka zbritur Zhurong.

Misioni Tianwen-1 përfshin një orbitues, kapsulën ulëse dhe një rover - i pari mision në Mars që i përmban bashkërisht të tria këto  elemente. Anija u nis nga Toka me 20 Korrik 2020 dhe arriti në Mars në Shkurt 2021.

Ulja në Mars është veçanërisht e vështirë edhe për faktin se inxhinierët nga Toka nuk e kontrollojnë dot në kohë reale, dhe duhet të programojnë paraprakisht të gjitha komandat e kontrollit. Shumë misone të ngjashme kanë humbur ose janë përplasur mbi sipërfaqe.

Në vitin 1997, misioni Mars Pathfinder i NASA-s nisi roverin e tij të parë, të quajtur Sojourner, drejt një zone shkëmbore të planetit. “Nuk është se me këtë mision bëmë zbulime të mëdha shkencore, por ai shtroi rrugën për rovera të tjerë më të paisur dhe më autonomë”, tregon një antar i ekipit të Perseverance-s, që është roveri i pestë i NASA-s.

Çfarë pritet

Brenda disa ditësh, roveri me gjashtë rrota, që furnizohet me energji diellore, do të zbresë nga kapsula, për të nisur një ekplorim të parashikuar tre mujor - ndonëse mund të mbijetojë edhe për vite të tëra, siç bënë roverat Spirit dhe Opportunity të NASA-s.

Utopia Planitia, vendi ku po rri Zhurong, është një sipërfaqe e gjerë dhe e sheshtë brenda një baseni të formuara miliarda vite më parë nga goditja e një trupi të vogël astronomik. Sipërfaqja e basenit është e mbuluar në pjesën më të madhe nga materiale vullkanike, të modifikuara nga ngricat. Ka mundësi që pak nën sipërfaqe të ndodhet një shtresë permafrosti.

Edhe misioni Viking 2 i NASA-s i vitit 1976 ka qenë ulur në Utopia Planitia, më në veri se Zhurong. Aty terreni është i pastër dhe e bën një vend ideal për përvojën e parë të uljes. Mundësia për të gjetur akull nën sipërfaqe i jep favore edhe për zbritjen e misioneve me njerëz.

 

Eksplorimi nga Zhurong

Dy kamera mbi rover do të marrin foto të shkëmbijve të afërt, kur roveri është në prehje; ato do të ndihmojnë për të përcaktuar itinerarin që do të zgjidhet. Një kamera multispektrale do të tregojë për mineralet që gjenden në shkëmbinj.

Ashtu si Perseverance, Zhurong ka një radar që depërton truallin. Ai synon të zbulojë proceset gjeologjike që çuan në formimin e kësaj zone. Me pak fat, Zhurong mund të detektojë shenjat e permafrostit. Thellësia e tij dhe karakteristikat e përgjithshme do të japin një vështrim më të mirë mbi ndryshimet e fundit klimaterike në Mars, dhe do të tregojnë për fatin e ujrave të dikurshme që mund të kenë rrjedhur mbi sipërfaqe.

Me shumë fat, mund të gjenden edhe shkëmbinj shumë të vjetër, që do të hapnin një dritare në historinë e planetit.

Zhurong do të jetë roveri i parë i paisur me magnetometër për matjen e fushave magnetike. Ai mund të japë mundësi për të kuptuar se si Marsi ka humbur fushën e tij magnetike, një ngjarje që e transformoi planetin në një vend të ftohtë, të thatë e të papërshtatshëm për jetën.

 

Funksionet e orbituesit

Që nga orbita e tij, Tianwen-1 – “pyetje për qiellin”, përkthyer në shqip - do t’i komunikojë Tokës gjetjet e Zhurongut. Por, ky orbitues ka edhe rolin e vet shkencor, që do ta zhvillojë përmes shtatë instrumentave të tij, kamera, radarë, një spektrometër. Një magnetometër dhe një analizator grimcash do të studiojnë kufirin mes atmosferës marsiane dhe erërave diellore, për të kuptuar më mirë se si vepron aktualisht fusha magnetike. E kombinuar me të dhënat e orbituesve të tjerë që studiojnë atmosferën e sipërme të planetit, kjo dije do t’i ofrojë studiuesve një pamje më të mirë të asaj se çfarë po ndodh sot në Mars.

Kjo ulje e suksesshme mund të frymëzojë misione të reja edhe më të avancuara - përfshirë  edhe ato të kthimit të mostrave në Tokë, që janë parashikuar të ndodhin rreth vitit 2030.

 

Marrë nga

https://www.nature.com/articles/d41586-021-01301-7?utm_source=Nature+Briefing&utm_campaign=ac23da77ef-briefing-dy-20210514&utm_medium=email&utm_term=0_c9dfd39373-ac23da77ef-45761594

 

Përktheu dhe përshtati Mimoza Hafizi; përshtati me faqen Edesa Behaj

bottom of page