top of page

Formimi i karbonit në yje

Në vitet 1930, shkencëtarët si p.sh. Hans Bethe kishin gjetur se yjet e marrin energjinë nga bashkimi i bërthamave atomike – i protoneve (jonet e hidrogjenit) në bërthama heliumi (grimcat alfa), që më pas bashkohen në beril-8. Përtej këtij procesi, shkencëtarët kishin dalë në përfundimin se azoti, oksigjeni dhe bërthamat e tjera formohen nga karboni-12. Por, askush nuk e dinte se si ky karbon formohet nga bërthama e paqëndrueshme e berilit. Rruga e plotë e formimit të elementeve nga djegia brenda yjeve ose pas Big Bang-ut ishte një mister, ndërkohë që karboni ndodhet kudo rreth nesh.


Ndërsa bërthama e paqëndrueshme e berilit mund të shpërbëhet shpejt në dy grimca alfa, llogaritjet që propozonin bashkimin e tre grimcave alfa për të formuar karbonin përjashtoheshin, pasi probabiliteti i ngjarjeve të tilla është shumë i vogël për të justifikuar sasinë e karbonit të prodhuar. Por, në vitin 1953, astronomi anglez Fred Hoyle, me guxim parashikoi një nivel energjetik 7.65 MeV mbi gjendjen bazë të atomit të karbonit-12. Kjo gjendje e ngacmuar, e njohur si “gjendja Hoyle”, ishte rezonanca e formuar nga bashkëveprimi i berilit me një grimcë alfa. Thuajse gjithmonë kjo gjendje shpërbëhet përsëri në 3 grimca alfa, por në një ndër 2421.3 raste shpërbëhet në gjendjen themelore të karbonit-12, duke e çliruar energjinë e tepërt në rreze gama. Atomet e karbonit-12 ose mbeten të tilla, ose bashkohen me grimcën alfa për të dhënë oksigjen, për të vazhduar më tutje zinxhirin e elementeve kimike. Kur ylli shpërthen në supernova, karboni dhe bërthamat e tjera ftohen në atome dhe popullojnë universin.


Disa muaj më pas, një grup eksperimental ne Institutin e Teknologjisë në Kaliforni, i drejtuar nga Ward Wahling, gjetën një gjendje të karbonit-12 me energji 7.68 ± 0.03 MeV, përmes analizës magnetike të spektrit të grimcave alfa nga zbërthimi i azotit-14. Kështu u provua se Hoyle kishte bërë parashikime të drejta të origjinës së një prej elementeve më të rëndësishme në univers.

bottom of page