ALMA zbulon galaktikën e largët që po “vdes” nga përplasja, sepse humb aftësinë për të formuar yje
Galaktikat fillojnë të "vdesin" kur ndalojnë së formuari yje, por kurrë më parë astronomët nuk e kishin vrojtuar qartazi fillimin e këtij procesi në një galaktikë të largët. Përmes antenave ALMA (Atacama Large Millimeter/Submillimeter Array-Vargu i Gjatë Millimetrik/Nënmilimetrik në Atacama), në të cilin Observatori Jugor Evropian (ESO) është partner, astronomët kanë parë një galaktikë që po hedh jashtë vetes gati gjysmën e gazit të saj yjeformues. Kjo hedhje gazi po ndodh me shpejtësi befasuese, ekuivalente me masën e 10 000 diejve/vit – pra galaktika po humbet me rrëmbim lëndën e saj të parë, që duhet për krijimin e yjeve të reja. Ekipi beson se kjo ngjarje spektakolare vjen si pasojë e përplasjes së dikurshme me një galaktikë tjetër. Kështu pra, astronomët mund të fillojnë ta rimendojnë skenarin se si galaktikat e mbyllin ciklin e krijimit të yjeve të reja.
"Kjo është hera e parë që po vrojtojmë në Universin e largët një galaktikë tipike të madhe, yjeformuese, e cila po “vdes” për arsye të largimit masiv të gazit të ftohtë” thotë Annagrazia Puglisi, nga Universiteti Durham, MB dhe Qendra e Kërkimeve Bërthamore Saclay (CEA-Saclay), Francë, udhëheqësja e studimit të ri. Galaktika ID2299 ndodhet aq larg sa dritës së saj i duhen rreth 9 miliardë vjet për të na mbërritur; ne e shohim atë kur Universi ishte vetëm 4.5 miliardë vjeç.
Hedhja jashtë e gazit po ndodh me një shpejtësi ekuivalente me 10 000 diej në vit dhe po i heq ID2299-ës gati gjysmën e gazit të saj të ftohtë. Ndërkohë, galaktika po formon shumë yje, qindra herë më shpejt se Rruga jonë e Qumështit. Kështu, gazi i mbetur do të konsumohet brenda pak kohe, për t’ia “fikur” ID2299-ës këtë proces pas disa dhjetëra miliona vitesh.
Ekipi beson se shkaku i kësaj humbjeje spektakolare të gazit është një përplasje mes dy galaktikash, të cilat ka të ngjarë që u bashkuan dhe formuan ID2299-ën. E dhëna kyçe që i çoi shkencëtarët drejt këtij skenari ishte bashkëshoqërimi i gazit të hedhur me një "bisht batice". Bishta batice quhen rryma yjesh dhe gazi ndëryjor që formohen kur dy galaktika bashkohen. Ato shihen me vështirësi në galaktikat e largëta, por ekipi ia doli t’i shihte e t’i identifikonte.
Shumica e astronomëve besojnë se shkaktarët e hedhjes së materialit yjeformues në hapësirë, e cila i jep fund aftësisë së galaktikave për të krijuar yje të reja, janë erërat e shkaktuara nga formimi i yjeve dhe aktiviteti i vrimave të zeza në qendrat e galaktikave masive. Por ky studim i ri i botuar në Nature Astronomy sugjeron se edhe bashkimet galaktike mund të jenë përgjegjëse për këtë hedhje jashtë të lëndës së parë yjeformuese.
"Unë u entuziazmove kur zbulova një galaktikë kaq të jashtëzakonshme! Isha e etur të mësoja më shumë rreth këtij objekti të çuditshëm, me bindjen se aty ndodhej një mësim rreth evolucionit të galaktikave të largëta", tregon Puglisi.
Ky zbulim befasues ndodhi rastësisht, ndërsa ekipi po inspektonte një vrojtim të ALMA-s, të orientuar drejt studimit të vetive të gazit të ftohtë në më shumë se 100 galaktika të largëta. ID2299 ishte vëzhguar nga ALMA për vetëm disa minuta, por të mjaftueshme që observatori i fuqishëm, i vendosur në Kilin verior, t’ia bënte të mundur ekipit të kishte në dispozicion të dhënat e duhura për zbulimin e galaktikës dhe bishtit të saj të zgjatur.
"ALMA ka hedhur dritë të re mbi mekanizmat që mund të stopojnë formimin e yjeve në galaktikat e largëta. Dëshmia e një ngjarjeje kaq shkatërruese i shton një pjesë të rëndësishme mozaikut kompleks të evolucionit galaktik", thotë Chiara Circosta, një studiuese në University College London, MB, e cila gjithashtu kontribuoi në hulumtim.
Në të ardhmen, ekipi mund të përdorë ALMA-n për të bërë vëzhgime më të thella e me rezolucion më të lartë të kësaj galaktike, për të kuptuar më mirë dinamikën e hedhjes së gazit. Vëzhgimet me ELT (Teleskopin e ardhshëm Ekstremisht të Madh të ESO-s) mund ta lejojnë ekipin të eksplorojë lidhjet midis yjeve dhe gazit në ID2299, duke hedhur dritë të re mbi evolucionin e galaktikave.
Marrë nga ESO: https://www.eso.org/public/news/eso2101/
Përktheu Kristina Hysi; përshtati Mimoza Hafizi; përshtati me faqen Edesa Behaj